Drejtori ekzekutiv i Manchester United, Omar Berrada, ka folur për herë të parë rreth dështimit të Ruben Amorimit në stolin e “Djajve të Kuq”, duke deklaruar se trajneri portugez e futi veten në një situatë të vështirë, pasi refuzoi të largohej nga idetë e tij taktike.
Amorim mori drejtimin e Manchester United në nëntor të vitit 2024, pas sukseseve të mëdha me Sportingun, ku fitoi dy tituj kampionë dhe dy Kupa të Ligës në Portugali. Megjithatë, aventura e tij në “Old Trafford” nuk shkoi sipas pritshmërive.
United e mbylli sezonin 2024/25 në vendin e 15-të në Premier League, rezultati më i dobët në historinë e klubit në elitën angleze, ndërsa humbi edhe finalen e Ligës së Evropës ndaj Tottenhamit. Pavarësisht kritikave, Amorim vazhdoi edhe sezonin 2025/26, duke këmbëngulur në skemën e tij të preferuar 3-4-3.
Pas barazimit 1-1 me Leeds United në janar, ai u shkarkua pas 14 muajsh në krye të skuadrës dhe u zëvendësua nga Michael Carrick. Në një paraqitje në FTWeekend Festival në Nju Jork, Berrada tha se emërimi i Amorimit ishte një vendim i menduar mirë. “Kur e emëruam, logjika ishte e qartë.
Ai kishte pasur shumë sukses me Sportingun, ishte i ri, energjik dhe i shpjegonte idetë e tij futbollistike në mënyrë shumë të qartë. Besonim se kishte aftësinë të komunikonte mirë me lojtarët dhe ta udhëhiqte dhomën e zhveshjes”, tha ai.
Sipas Berradës, klubi i kishte dhënë trajnerit kohën dhe lirinë për të zbatuar filozofinë e tij, por presioni i madh te Manchester United e bëri situatën shumë të vështirë. “Mendoj se ai hasi vështirësi për shkak të madhësisë së klubit. Çdo ide dhe çdo vendim analizohen vazhdimisht.
Ndoshta ai e futi veten në një qoshe, sepse këmbënguli në mënyrë shumë të ngurtë te idetë e tij, duke dashur t’u tregonte të gjithëve se ato do të funksiononin”, u shpreh Berrada. Ai shtoi se te Manchester United emocionet ndryshojnë shumë shpejt dhe disa rezultate negative krijojnë presion të jashtëzakonshëm.
“Kur humbet dy ose tri ndeshje radhazi te Manchester United, duket sikur është fundi i botës. Kjo ishte shumë e vështirë për t’u menaxhuar”, tha ai. Berrada theksoi gjithashtu se Amorim mori drejtimin e ekipit në mes të sezonit dhe nuk pati kohën e nevojshme për të vendosur idetë e tij. “Nuk pati një fazë përgatitore me ekipin.
Në sezonin e dytë pati më shumë kohë dhe e nisëm mirë, por pesha e sezonit të kaluar vazhdonte të ndihej. Në fund menduam se ishte momenti për një ndryshim. Michael Carrick erdhi në janar dhe skuadra arriti ta përmbyste situatën”, përfundoi drejtori ekzekutiv i Manchester United.
Pas largimit nga “Old Trafford”, Ruben Amorim është emëruar trajner i ri i Milanit, ndërsa Michael Carrick e udhëhoqi Manchester United drejt vendit të tretë në Premier League dhe rikthimit në Ligën e Kampionëve.