BBC shkruan për domethënien e himneve, përmend edhe atë të Kosovës

0%

Mediumi publik britanik BBC ka publikuar një artikull kushtuar historisë, domethënies dhe karakteristikave kryesore të himneve kombëtare, duke shpjeguar rolin që ato luajnë në përfaqësimin e identitetit dhe historisë së shteteve.

Në artikullin me titull “Çfarë janë himnet kombëtare dhe pse përdoren?” , BBC përmend disa nga himnet më të njohura në botë, si “The Star-Spangled Banner” i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, “Deutschlandlied” i Gjermanisë dhe “La Marseillaise” i Francës, të cilat njihen gjerësisht edhe përtej kufijve të vendeve që përfaqësojnë.

Sa i përket Mbretërisë së Bashkuar, BBC rikujton se himni zyrtar është “God Save the King”, i cili është interpretuar publikisht për herë të parë në vitin 1745. Megjithatë, ndonëse përdoret në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, vende si Uellsi dhe Skocia kanë himnet e tyre jozyrtare, përkatësisht “Hen Wlad Fy Nhadau” dhe “Flowers of Scotland”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Artikulli thekson se himnet kombëtare interpretohen në raste të ndryshme, përfshirë ngjarje sportive, festa kombëtare, ceremoni shtetërore dhe aktivitete të tjera publike. Në veçanti, ato kanë një rol të rëndësishëm në sport, ku luhen para ndeshjeve ndërkombëtare për të përfaqësuar shtetet pjesëmarrëse. BBC ndalet edhe te origjina e disa prej himneve më të vjetra në botë.

Sipas artikullit, Japonia ka himnin me tekstin më të lashtë, pasi fjalët e “Kimigayo” bazohen në një poezi që daton nga shekulli i nëntë. Ndërkohë, “Wilhelmus van Nassouee” i Holandës konsiderohet një nga himnet më të vjetra për nga melodia, ndërsa “Marcha Real” e Spanjës renditet ndër himnet më të hershme që vazhdojnë të përdoren pa ndërprerje në ceremoni zyrtare.

Artikulli trajton edhe dallimet mes himneve për nga gjatësia. Japonia, Jordania dhe San Marino përmenden si shtete me disa nga himnet më të shkurtra, ndërsa himni i Uruguait konsiderohet më i gjati për nga kohëzgjatja muzikore, duke zgjatur rreth gjashtë minuta.

Po ashtu, himni i Greqisë mban rekordin për numrin më të madh të vargjeve, me gjithsej 158 strofa, megjithëse në praktikë interpretohen zakonisht vetëm dy strofat e para. Në artikull përmendet edhe Kosova, në kuadër të shteteve që nuk kanë tekst zyrtar në himnin e tyre kombëtar.

BBC shkruan se jo të gjitha himnet kombëtare përmbajnë fjalë dhe se disa vende përdorin vetëm versione instrumentale. Si shembuj përmenden Spanja me “Marcha Real”, San Marino me “Terra di Libertà”, Kosova me “Himnin e Republikës së Kosovës” dhe Bosnja e Hercegovina me “Intermeco”.

Në përfundim, BBC thekson se himnet kombëtare janë shumë më tepër sesa këngë ceremoniale, pasi ato përfaqësojnë historinë, identitetin dhe unitetin e një populli. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com