AUV: Nuk kemi marrë asnjë masë për mbylljen e “VITA”-s, gjatë

0%

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka thënë se nuk kanë marrë vendim për mbyllje të fabrikës “VITA”. Në njoftimin zyrtar AUV thekson se në bazë të verifikimit të dokumentacionit, kontrollit fizik të objektit dhe inspektimit të linjave të prodhimit, janë konstatuar mospërputhje me legjislacionin në fuqi.

“AUV sqaron se në këtë fazë nuk është marrë asnjë masë për mbylljen e subjektit. Inspektimi ka konsistuar vetëm në verifikim dhe marrje mostrash, ndërsa vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike, në përputhje me legjislacionin në fuqi”- ka thënë AUV.

Gjatë inspektimit AUV njofton se kanë marrë mostra të qumështit UHT me afat të gjatë përdorimi, si dhe mostra të qumështit pluhur dhe vajit të palmës, të cilat janë dërguar për analiza laboratorike.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Është evidentuar se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit në bazë të autorizimit përkatës, ndërsa në objekt janë instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse.

Po ashtu, subjekti disponon sasi të konsiderueshme të lëndëve të para dhe produkteve, përfshirë qumësht UHT, qumësht pluhur, proteina qumështi, hirrë qumështi dhe vaj palme”- bënë të ditur AUV.

Ky institucion ka konstatuar se subjekti nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi për qëllime të deklaruara në etiketim, ndërsa disa elemente të procesit kërkojnë vlerësim të mëtejshëm nga autoritetet kompetente.

“Gjatë kontrollit janë marrë mostra zyrtare për analiza laboratorike, rezultatet e të cilave do të shërbejnë për veprimet e mëtejshme administrative dhe ligjore.

Pas përfundimit të procedurës inspektuese, subjektit i është lënë vendim për të respektuar dhe zbatuar kërkesat e legjislacionit në fuqi, përfshirë udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për prodhimin dhe tregtimin e produkteve ushqimore”- thuhet në njoftimin e AUV.

Agjencia ka ritheksuar se mbrojtja e shëndetit publik dhe siguria ushqimore mbeten prioritet institucional, ndërsa çdo operator është i obliguar të veprojë në përputhje me ligjin. Rezultatet laboratorike dhe procedurat e mëtejshme do të përcaktojnë veprimet përfundimtare të autoriteteve kompetente, thuhet në njoftim.

Burimi: Kallxo