Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi” po përfaqëson Kosovën në edicionin e 40-të të Festivalit Ndërkombëtar të Folklorit, i cili po mbahet në qytetin e Lublinit, në Poloni.
Sipas njoftimit të ansamblit, artistët kosovarë janë prezantuar me interpretime të folklorit shqiptar, të shoqëruara me kostume tradicionale dhe një program artistik që promovon trashëgiminë kulturore të Kosovës. Ansambli ka bërë të ditur se paraqitja e tij është pritur mirë nga publiku dhe pjesëmarrësit e festivalit, ku marrin pjesë grupe folklorike nga vende të ndryshme të botës.
“Me interpretimet autentike, kostumet tradicionale dhe programin e pasur artistik, ansambli ynë ka lënë mbresa të jashtëzakonshme te publiku polak dhe pjesëmarrësit nga vende të ndryshme të botës. Kultura, tradita dhe folklori shqiptar po promovohen me krenari në një nga festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare të folklorit”, thuhet në njoftim.
Përfaqësuesit e ansamblit kanë vlerësuar pjesëmarrjen në këtë festival si një mundësi për promovimin e vlerave kulturore të Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Për ne është nder të ndajmë skenën me ansamble dhe artistë të njohur ndërkombëtarë, duke prezantuar vlerat më të mira të trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës”, thuhet më tej në njoftim. / Telegrafi
