Trajneri i Kombëtares së Brazilit, Carlo Ancelotti, u është përgjigjur kritikave të tifozëve lidhur me njohuritë e tij taktike gjatë Kampionatit Botëror 2026. Italiani ka bërë të ditur se i vetmi person në planet që është më i kualifikuar se ai për të dhënë opinione mbi futbollin është legjenda Sir Alex Ferguson.
Reagimi i Ancelottit erdhi pas kalimit të Brazilit në raundin e 16-tave të Botërorit, falë një fitoreje dramatike 2-1 ndaj Japonisë në sekondat e fundit të ndeshjes.
Edhe pse Brazili u kualifikua si lider i grupit mbi Marokun, tekniku italian u përball me kritika të shumta nga fansat për shkak të barazimit 1-1 me Marokun në fazën e grupeve dhe vendimeve rreth përzgjedhjes së skuadrës, si ftesa për Neymarin gjysmë të dëmtuar apo lënia në stol e talentit Endrick.
Gjatë një interviste për median Folha de Sao Paulo, kur u pyet mbi faktin se disa tifozë ndryshuan mendim për të dhe u befasuan nga aftësitë e tij taktike pas fitores ndaj Japonisë, Ancelotti u përgjigj me tone të prera: “Nuk e di nëse marr vesh nga futbolli apo jo, por askush tjetër nuk mund ta gjykojë nëse unë e kuptoj atë ose jo.
E vetmja gjë e sigurt është se kam përgatitur mbi 1,400 ndeshje. Kjo mund të mos mjaftojë për ta ‘kuptuar’ futbollin, por është padyshim një përvojë e mirë.” Në lidhje me atë se kush mund të jetë kompetent për t’i dhënë udhëzime, Ancelotti shtoi: “Dhe askush, askush, mbase vetëm një person ka përgatitur më shumë ndeshje se unë: Alex Ferguson, i cili ka drejtuar më shumë se 2,000 ndeshje.
Natyrisht që unë pranoj këshilla nga të gjithë, por i vetmi person që do të ishte më i duhuri për të më dhënë këshilla është Alex Ferguson.”
Carlo Ancelotti gëzon një status unik në futboll: si lojtar fitoi dy Kupa të Kampionëve me Milanin, ndërsa si trajner është i vetmi që ka triumfuar në pesë ligat më të forta evropiane (Itali, Angli, Francë, Gjermani, Spanjë) dhe mban rekordin absolut me 5 trofe të Ligës së Kampionëve.
