Amerika në zemrën e shqiptarëve!

0%

Më 4 Korrik, bota shënon Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ditën kur lindi një nga demokracitë më të fuqishme dhe më me ndikim në historinë moderne. Për shqiptarët, kjo datë është më shumë se një festë kombëtare amerikane; ajo është një ditë mirënjohjeje, respekti dhe kujtese për një aleat që ka qëndruar pranë nesh në momentet më vendimtare të historisë sonë.

Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, me vizionin e tij euro-atlantik dhe filozofinë e tij të paqes, e konsideronte Amerikën shtyllën e lirisë së shqiptarëve. Thënia e tij e njohur, “Shtëpia pa miq nuk mbahet”, shpreh qartë rëndësinë e miqësisë me shtetet e bashkuara dhe rolin e tyre në rrugëtimin e shqiptarëve drejt lirisë, paqes dhe shtetndërtimit.

Miqësia shqiptaro-amerikane është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta, lirinë, demokracinë, dinjitetin njerëzor dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Miqësia është forcuar ndër dekada përmes partneritetit, besimit dhe mbështetjes së ndërsjellë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në këtë ditë të veçantë, kujtojmë me respekt ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1999, e cila ndaloi luftën në Kosovë dhe hapi rrugën drejt lirisë. Po ashtu, kujtojmë mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së për pavarësinë e Kosovës, ndërtimin e institucioneve demokratike dhe konsolidimin e shtetit tonë.

Miqësia shqiptaro-amerikane nuk është vetëm një partneritet politik dhe diplomatik. Kjo është një lidhje e ndërtuar mbi besim, respekt dhe vlera të përbashkëta. Është një aleancë që duhet ruajtur, forcuar dhe trashëguar brez pas brezi, sepse mbetet një nga garancitë më të rëndësishme për sigurinë, stabilitetin dhe të ardhmen euro-atlantike të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve.

Në këtë 4 Korrik, u shprehim urimet më të sinqerta popullit amerikan për Ditën e Pavarësisë, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen tonë për miqësinë e palëkundur që ka lidhur dy popujt tanë. Urime Dita e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë miqësinë shqiptaro-amerikane!

Burimi: Bota Sot