Alarmohet për përdorimin në rritje të kokainës

0%

Nga: Donisa Fazliu Shpërndaje në: Në Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikim të Paligjshëm, si shqetësuese janë cilësuar trendët e përdorimit të substancave narkotike në Kosovë.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Labyrinth”, Safet Blakaj, ka thënë se problem i madh mbetet përhapja e shpejtë e përdorimit të kokainës Përhapja e përdorimit të kokainës si dhe ulja e moshës së përdoruesve të substancave narkotike, janë dy problemet kryesore, që u diskutuan në tryezën e diskutimit të organizuar në Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare “Labyrinth”, Safet Blakaj, ka thënë se shqetësim i madh mbetet përhapja e shpejtë e përdorimit të kokainës dhe variantit të saj “krak-kokainë”, e cila sipas tij, krijon varësi të shpejtë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Në Kosovë, për neve po na shqetëson shumë përhapja e shpejtë e përdorimit të kokainës, edhe një variant i saj, krak-kokainë që quhet, e cila shkakton varësi shumë të shpejtë, por shkakton edhe të tjera probleme duke u rritur agresiviteti tek personat që e përdorin. Ka problem, për shembull, me ekstazinë e cila gjatë sezonit të verës është më prezente.

E po na shqetëson shumë edhe drogat që janë të ngjashme me kokainën stimulante, që është amfetaminë edhe metamfetaminë”, ka thënë Blakaj. E Faruk Bunjaku nga Drejtoria kundër Drogave në Polici, tha se plani operativ “Siguria në shkolla”, ka pasur efekt pozitiv në luftimin e drogave.

“Ka pasur një efekt të jashtëzakonshëm, pasi që policë në rroba civile janë prezentë në dhe përreth shkollave, duke komunikuar vazhdimisht me stafin e shkollave, dhe duke siguruar një ambient më të mirë për nxënësit aty.

Në aspektin rrugor, drejtoria e drogës kohëve të fundit ka rritur stafin e vet, kështu që kemi më shumë prezencë, policë në rroba civile, përfshirë edhe në stacionet policore, të cilët kanë dedikuar disa policë në luftim të drogave në nivel rrugor”, ka thënë Bunjaku.

Bunjaku tha se në Kosovë nuk ka rritje të përdoruesve të heroinës, por tha se ka abuzim me metadonin, substancë kjo që shkakton vdekje të hershme. E ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, u zotua se do ta adresojë së shpejti çështjen që Kosova të ketë qendër rehabilitimi ku trajtohen personat që janë të varur nga substancat narkotike.

“Do ta adresoj edhe sot, është pikërisht ajo që ju e përmendët, që edhe republika jonë, Republika e Kosovës të ketë një qendër të rehabilitimit, qendër profesionale ku trajtohen personat që janë të varur nga substancat narkotike. Unë kam marrë zotimet edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka thënë Haxhiu.

E Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se gjatë gjithë këtij muaji do të realizohen aktivitete vetëdijesuese, me qëllim të uljes së numrit të përdoruesve të drogave.

Burimi: Koha