A e garanton zgjedhjen e presidentit një marrëveshje VV-LDK?

0%

Shpërndaje në: Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka gjetur partnerin me të cilin ka paralajmëruar diskutime të mëtejme për formimin e institucioneve të reja. Pas takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, ai e përshkroi procesin e bisedimeve si “një ndërmarrje të madhe e të gjerë”. Abdixhiku, ndërkaq, tha se koha kur bisedimet kanë nisur, i “jep shpresë” për rezultate.

Marrëveshja potenciale Kurti-Abdixhiku nuk garanton zgjidhje, meqë disa deputetë të LDK-së hapur janë deklaruar kundër. Në një situatë të këtillë, për zgjedhjen e presidentit, çelësi i zgjidhjes mbetet tek PDK-ja që ka vendosur të qëndrojë në opozitë ose tek Aleanca që refuzoi të përfshihet në bisedime Me tone optimiste për marrëveshje rreth formimit të institucioneve të reja të shtetit kanë folur kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe ai i Lidhjes Demokratike (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit që të premten mbrëma e kanë zhvilluar në Kuvend.

Tek folën për bisedimet që morën start dy ditë pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme të 7 qershorit, Kurti tha se bëhet fjalë për “ndërmarrje të madhe e të gjerë” e Abdixhiku theksoi se koha kur ato kanë nisur i “jep shpresë”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Paraprakisht gjatë ditës, Kurti, i cili është edhe kryeministër në detyrë, takoi kryetarin e Partisë Demokratike (PDK), Bedri Hamza, pas të cilit tha se diskutimet ishin konstruktive, por nuk dhanë rezultat konkret. Në anën tjetër, Hamza konfirmoi se partia që ai e drejton do të mbetet në opozitë.

Optimizëm për marrëveshje Abdixhiku i ka shkuar në takim Kurtit bashkë me ish-aleaten e tij, Vjosa Osmani, e cila pasi e përfundoi mandatin e presidentes është rikthyer në LDK dhe në zgjedhjet e fundit i priu listës së kandidatëve për deputetë të kësaj partie dhe u nominua si kandidate për presidente.

Asnjëri nuk folën për emra konkretë të kandidatëve për postin e kreut të shtetit, dështimi për zgjedhjen e të cilit imponoi zgjedhje të parakohshme në qershor. Kurti premtoi se do të jetë transparent, por theksoi se ka edhe konfidencialitet në biseda për të cilat tha se duhet të rezultojnë me të arritura konkrete.

“Jam me shpresë që racionaliteti i cili po mbizotëron do të vazhdojë të ekzistojë në këto takime, prandaj po e theksoj që është takimi i parë dhe do të kemi edhe të takime të tjera. Në njërën anë po diskutojmë koncepte e parime, dhe në anën tjetër edhe orare dhe funksione.

Prandaj, është një ndërmarrje e madhe e gjerë, e cila kërkon besim e mirëbesim, dhe e cila kërkon kohë për realizim”, ka thënë Kurti.

“Kemi diskutuar edhe për qeverinë, edhe për Kuvendin, kemi diskutuar edhe për presidentin për shkak se trash po koincidojnë në të njëjtën kohë, por po e ritheksoj edhe një herë që fokusi ynë kanë qenë më shumë në zhvillimet aktuale politike, orari i konstituimit të institucioneve dhe zhvillimet të cilat po ndodhin në Kosovë, në dritën e këtij rezultati që kemi pasur”.

Në anën tjetër, Abdixhiku ka thënë se në takim është folur për stabilitetin e domosdoshëm institucional me qëllim që të shmangen zgjedhjet e reja të parakohshme, që do të ishin të katërtat me radhë në më pak se një vit e gjysmë. Edhe ai ka mohuar të jetë diskutuar për poste e emra të përveçëm.

“Në këtë frymë u angazhuam për diskutime rreth parimeve thelbësore rreth të cilave duhet të zhvillohen këto diskutime, vlerave dhe ideve programore rreth të cilave dy palët kanë interes dhe në këtë fazë u dakorduam të vazhdojmë tutje me komunikim, si formë e vetme e mundësisë së shmangies së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vendin tonë”, ka thënë kryetari i LDK-së.

“Nuk kemi arritur të flasim për emra të përveçëm, por po flasim për procese dhe dakordimin që pas diskutimeve të takimit të parë të vazhdojmë dhe tutje të përpiqemi të gjejmë marrëveshje”. Abdixhiku ka thënë se ka kohë mjaftueshëm përpara për t’i shteruar diskutimet.

“I kemi 30 ditë kohë për thirrjen e seancës së Kuvendit të Republikës dhe më pas i kemi edhe 60 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit. E rëndësishme është që po flasim para se të merren ose të nisen hapa të njëanshëm të formimit të institucioneve dhe kjo më jep shpresë”, ka thënë ai.

Sfida e numrave mbetet Abdixhiku i ka nisur bisedimet me LVV-në, në kohën kur brenda partisë që drejton janë shtuar nismat që kërkojnë shkarkimin e tij, shkaku i rezultatit zgjedhor.

Pasi disa nga degët ia kërkuan dorëheqjen dhe Abdixhiku refuzoi ta japë, zyrtarë të LDK-së kanë thënë se tashmë janë mbledhur nënshkrimet e së paku një të tretës së anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të partisë, me kërkesën që të mbahet mbledhja ku do të trajtohej përgjegjësia për rezultatin.

LDK-ja arriti të sigurojë 18 vende në Kuvend dhe të mbetet parti e tretë, pavarësisht se asaj iu bashkëngjit Osmani. E, nga deputetët e zgjedhur, së paku pesë janë deklaruar hapur kundër çfarëdo marrëveshjeje me LVV-në.

Kjo rrethanë nuk garanton që, edhe nëse do të ketë koalicion LVV-LDK, të arrihet pjesëmarrja e së paku 80 deputetëve sa kërkohen në procesin e votimit për presidentit, meqë LVV-ja ka 53 deputetë dhe nga radhët e komuniteteve ajo llogarit në maksimum 11 deputetë, meqë kundërshton çfarëdo bashkëpunimi me Listën Serbe e cila ka siguruar 9 mandate.

Kurti dha sinjale se mund të mos jetë mbështetja e plotë e deputetëve të LDK-së për presidentin. “Ne besojmë që fryma dhe germa e Kushtetutës është për president që është shprehje e unitetit të popullit dhe që në këtë kuptim duhet të jetë konsensual, sepse jemi të interesuar gjithashtu që ta kemi numrin maksimal të mundshëm të deputetëve që do të qëndrojnë në sallë”, ka thënë ai.

“Përqendrimi ynë nuk ka qenë tash te emrat e përveçëm për president, por për koncept e parime, për vizionin përpara në njërën anë, dhe në anën tjetër, a thua se çfarë duhet të bëjmë strategjikisht që ta maksimizojmë numrin e deputetëve të cilët duhet të jenë në ditën vendimtare kur do të vijë çështja e presidentit”.

Çelësi te PDK-ja dhe Aleanca Në mungesë të unitetit në grupin parlamentar të LDK-së, zgjedhja e kreut të shtetit nuk mund të bëhet pa mbështetjen e një numri deputetësh ose të PDK-së, ose të Aleancës.

Kryetari i PDK-së, pas takimit me Kurtin, tha se partia që e drejton do të qëndrojë në opozitë gjatë këtij mandati dhe nuk dha sinjale se do të ndërrojë qëndrim edhe për sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit. “Qëndrimi ynë është që Partia Demokratike e Kosovës për këtë mandat është parti në opozitë.

Dhe ne i dëshirojmë sukses zotit Kurti dhe të gjithë atyre që takohen, bisedojnë, t’i japin vendit institucione, t’u i përfshi të gjitha institucionet, se përveç Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Republikës së Kosovës janë edhe 98 deputetë të tjerë, kështu që matematikisht ka mundësi me u bë kompletimi i të gjitha institucioneve dhe këtu do të thotë është pozita e Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Hamza.

Ftesat për takim, Kurti ua ka bërë një ditë më parë liderëve të partive kryesore në Kuvend. Në të, negativisht është përgjigjur kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i cili ka thënë Aleanca është e gatshme të ndihmojë në kuorum për zgjedhjen e presidentit po që se Kurti i pranon gjashtë pikat e ofertuara nga AAK-ja.

Ato përfshijnë: Pranimin e menjëhershëm të projektit të gazit amerikan; Nisjen e menjëhershme të procedurave për ndërtimin e një termocentrali me thëngjill; Ngritja e menjëhershme e pragut të TVSH-së nga 30,000 në 100,000 euro, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme; Lirimin e plotë të tokës së punuar, nga tatimi në pronë; Financimin e plotë të projekteve të infrastrukturës jetike në Kosovë, të cilat aktualisht kanë mbetur të pezulluara në mungesë të mjeteve, si dhe; Ndarjen e 800 milionë deri në 1 miliard eurove për Prishtinën.

Kurti, i cili komentoi refuzimin e ftesës, tha se është e rëndësishme që Gjini të pranojë të takohet me të. “Unë kur i mblodha numrat e deputetëve 53 + 22 + 18 nuk thashë edhe + 7 për shkak se kryetari i AAK-së nuk e ka konsideruar të arsyeshme, të nevojshme që të takohet me mua. Unë besoj që është e rëndësishme që të takohet me mua. Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve.

Ne edhe nëse nuk do të jemi bashkë në qeveri, padyshim që do të jemi bashkë në institucione. Dhe në kohën kur takimet zhvillohen gjithandej, pothuajse secili me secilin, nuk besoj që është në rregull që një parti e respektuar parlamentare si AAK-ja të refuzojë takimin me mua si kryeministër dhe kryetar i partisë fituese”, ka thënë ai.

Këtë e ka theksuar pas takimit me Hamzën, kur insistoi që Kosova të ketë president jopartiak. Kurti ka deklaruar se “për zgjedhjen e presidentit përgjegjësia bie mbi të gjitha partitë”, ndërsa ka thënë se për këtë pozitë duhet një figurë konsensuale, të mos jetë i ndonjë partie, dhe dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, e me kredenciale kombëtare e profesionale.

Të tilla kredenciale ai pati kërkuar edhe në prill, kur u bëri ofertë dy partive kryesore në opozitë, PDK-së dhe LDK-së, që të propozojnë tre kandidatë për president, dhe dha zotimin se njërin nga ta do ta votojnë deputetët e LVV-së.

Në ofertë nuk u përgjigjën asnjëra parti politike, deputetët e të cilave bojkotuan procesin e zgjedhjes së presidentit e në mungesë të zgjedhjes, u shpërnda Kuvendi dhe u organizuan zgjedhjet e reja. Rezultati i tashëm zgjedhor ia mundëson LVV-së ta formojë qeverinë me mbështetjen e deputetëve të komuniteteve, pa përfshirë ata të Listës Serbe, meqë kërkohen së paku 61 vota.

Ndërkaq, në dy raundet e para për zgjedhjen e presidentit, kërkohet pjesëmarrja e së paku 80 në votim. Kurti pas takimit me kreun e PDK-së ka thënë se përgjegjësia për formimin e qeverisë i takon partisë fituese të zgjedhjeve, ndërsa zgjedhja e presidentit kërkon një konsensus më të gjerë politik.

“Edhe një herë po e ritheksoj: për qeverisje përgjegjësia bie mbi ne, por për zgjedhjen e presidentit, të gjithë kemi përgjegjësi. Tash jemi në fazën e konsultimeve me partitë opozitare. Domethënë, me PDK-në dhe LDK-në që pranuan që të takohemi dhe të bashkëbisedojmë për një zgjidhje politike për rrugën përpara.

Ne jemi të interesuar që t’u japim kohë diskutimeve, konsultimeve, në mënyrë që legjislatura e 11-të të ketë jo vetëm kryetar kuvendi e kryeministër, por edhe president”, ka thënë Kurti pas takimit me kryetarin e PDK-së.

“Ideja e presidentit është menduar që të ndodh në bashkëpunim me të tjerët, andaj edhe ne pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale, pra dikush i cili nuk është i asnjë partie politike, dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale, dikush i cili ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale, qytetare dhe në këtë mënyrë të jetë shprehje e unitetit ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria jonë.

Kjo nuk është ideja jonë, apo kërkesa jonë. Kjo është fryma dhe germa e Kushtetutës”. Të enjten ka hyrë në fuqi afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Deputetët e rinj kanë kohë për ta konstituuar legjislaturën e njëmbëdhjetë të Kuvendit deri më 7 gusht. E pas konstituimit të Kuvendit, ata kanë në dispozicion 60 ditë për ta zgjedhur presidentin.

Nëse brenda kësaj kohe dështon ta bëjë këtë, Kuvendi shpërndahet dhe organizohen zgjedhje të reja të parakohshme.

Burimi: Koha