Të drejtat pronësore vazhdojnë të mbeten një nga sfidat më të mëdha në Kosovë. Pavarësisht reformave të ndërmarra ndër vite, sektori i pronës përballet me probleme të shumta që ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë juridike të qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe barazinë gjinore .
Të dhënat e prezantuara në publikimin e fundi të BIRN-it tregojnë se 30 % e pronave në Kosovë vazhdojnë të jenë të regjistruara në emër të personave të vdekur, ndërsa vetëm 21 % e pronave figurojnë në emër të grave. Në të njëjtën kohë, mbi 350 mijë ndërtime mbeten të palegalizuara, ndërsa mijëra objekte janë ndërtuar në prona të kontestuara ose në prona publike.
Situata është më e rëndë në komunitetet e margjinalizuara, ndërsa studimi i fundit i publikuar konstaton që gratë vazhdojnë të përballen me problemet e shkaktuara nga patriarkalizmi. Me mbështetjen e Bankës Botërore, BIRN në kuadër të projektit PIAKOS, të implemenutar nga ATRC, ka zhvilluar një hulumtim të thellë për sfidat pronësore në vend.
Në lansimin e këtij raporti morën pjesë akterë të ndryshëm të institucioneve shtetërore dhe nga shoqëria civile, të cilët patën mundësinë të njihen me gjetjet dhe rekomandimet e raportit, si dhe t’i diskutojnë ato në dy panele të ndara profesionale, të organizuar me qëllimin të krijimit të një ambienti më gjithëpërfshirës në fushën e të drejtës pronësore.
Konferencën për lansimin e raportit e hapën Drejtori ekzekutiv i ATRC-së, Kushtrim Kaloshi dhe shefja e kabinetit të Ministrisë së Drejtësisë, Dhurata Gutaj. Kaloshi në fjalën hyrëse tha se raporti i lansuar tregon se Kosova ka një bazë të rëndësishëm ligjore për mbrojtjen e të drejtave pronësore, por se sfidë mbetet zbatimi i legjislacionit në praktikë.
Ndërkaq, Gutaj tha se Ministria e Drejtësisë, si institucion përgjegjës për hartimin e politikës dhe legjislacionit në fushën e drejtësisë, mbetet e përkushtuar në avancimin e reformave ligjore, përfshirë miratimin e Kodit Civil, i cili pritet të kontribuojë në qartësimin dhe konsolidimin e mëtejmë të rregullave që rregullojnë të drejtën e pronës dhe çështjet e trashëgimisë.
Gjetjet kryesore nga ky raport i hulumtimit u prezantuan nga Odeta Naks, menaxhere e programit PIAKOS. Sipas raportit, kriza pronësore në Kosovë buron nga trashëgimitë e vonuara. Hulumtimi po ashtu thekson nevojën për ndërveprueshmëri digjitale ndërmjet institucioneve, si një nga mekanizmat kyç për adresimin e këtyre sfidave.
Kjo u theksua nga Marko Arula, ekspert i digjitalizimit dhe bashkë-autor, gjatë prezantimit të raportit. Të dhënat e raportit tregojnë se Departamenti i Tatimit në Pronë i cili funksionon në kuadër të Ministrisë Financave ka të regjistruara 935,044 njësi ndërtimore dhe 1,851,963 parcela të tatueshme në nivel vendi.
Sipas raportit, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka identifikuar 352,836 objekte të palegalizuara, si dhe nga analiza e të dhënave të Agjencisë Kadastrale të Kosovës (AKK) shfaq një problem të konsiderueshëm që lidhet me mosfillimin e procedurave trashëgimore.
Tutje, në raportin e prezantuar thuhet se nga 666,689 pronarë te regjistruar aktualisht ne regjistrin kadastral, llogaritet se afër 30% prej tyre (rreth 200,000 bartës individualë të titullit të pronësisë) kanë ndërruar jetë, e ku si pasojë e kësaj, pronat e tyre mbetën praktikisht të bllokuara jashtë tregut formal të pronave.
Raporti i lansuar thotë se barra mbi sistemin e drejtësisë për këtë çështje është shqetësuese. Naks përmendi të dhënat e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ku thuhet se deri më , gjithsej 35,496 konteste pronësore mbesin të pazgjidhura në gjykatat e rregullta të Kosovës.
Sipas raportit, Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, e cila trajton mosmarrëveshjet që lidhen me ndërmarrjet shoqërore, do t’i duhen të paktën edhe 15 vite për të zgjidhur ngarkesën aktuale prej 4,256 rasteve, nëse ritmi i zgjidhjes se rasteve mbetet i pandryshuar.
Naks tha se njëra nga gjetjet kryesore të këtij raporti është trashëgimia, kjo pasi procedurat për ndarjen e trashëgimisë nuk fillojnë automatikisht pas vdekjes, dhe si pasojë e kësaj pronat mbesin të bllokuara për dekada.
Sipas gjetjeve të raportit, Naks tha se gratë zotërojnë vetëm 21.27% të pronave, të njëjtat kanë presion social për heqje dorë nga trashëgimia dhe kanë varësi ekonomike dhe qasje të kufizuar në kredi. Gjetja e tretë e këtij raporti thotë se komunitet jo-shumicë kanë mungesë dokumentacioni pronësor, kanë qasje të kufizuar në shërbime si dhe kanë mungesë përfaqësimi profesional.
Sipas raportit 70% e komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian nuk posedojnë dokumentacion pronësor. Raporti thotë se komunitet etnike përfaqësohen nga 1 si dhe 2 ndërmjetësues të licensuar i komunitet serb. Tutje, raporti vlerëson se informaliteti është bërë pjesë e strukturës së sistemit pronësor në Kosovë, duke vazhduar të krijojë pengesa në formalizimin dhe legalizimin e pronave.
Raporti thekson se ndërveprueshmëria digjitale mbetet faktori kryesor për reformën e sistemit pronësor, ndërsa mungesa e integrimit mes institucioneve vazhdon të shkaktojë vonesa dhe probleme administrative.
Ndër të tjera, Naks prezantoi rekomandimet e raportit të organizuara në katër shtylla kryesore: harmonizimi ligjor, koordinimi institucional, ndërveprueshmëria digjitale, si dhe gjinisë dhe përfshirjes sociale. Marko Arula- bashkautor i raportit dhe ekspert i digjitalizimit prezantoi rrugëtimin e shtetit të Estonisë nga sistemi me dokumente në letër drejt një sistemi plotësisht digjital.
Arula theksoi rëndësinë e regjistrave elektronikë, identitetit digjital dhe shkëmbimit të sigurt të të dhënave ndërmjet institucioneve. Sipas tij, këto reforma mundësuan Estonisë digjitalizimin e shërbimeve pronësore, noteriale dhe gjyqësore, duke rritur efikasitetin, sigurinë juridike dhe qasjen e qytetarëve në shërbime.
Në panelin e parë të moderuara nga Jeta Xharra, Drejtoreshë në BIRN Kosova, morën pjesë Hajzer Bublaku- Specialist ligjor në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, Violeta Demaj- Këshilltare e lartë politike nga Bashkimi Evropian, Arlinda Alshiqi – zyrtare e lartë ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, Ermir Ahmetaj – Gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe Ramë Hamzaj – Udhëheqës i Divizionit të Banimit (MMPHI).
Në këtë panel u diskutua për zhvillimet kryesore në sektorin e pronës, duke e përfshirë trashëgiminë, legalizimin si dhe masat për të siguruar transparencë, siguri juridike dhe koordinim institucional.
Hajzer Bublaku nga Agjencia Kadastrale tha se regjistrimi i pronave nga gratë ka filluar të rritet nga viti 2016 kjo pas vendimit të Qeverisë të Kosovës, vendim ky i cili kishte obliguar që çdo pronë e re që blihet, të regjistrohet nga dy bashkëshortët.
Bublaku tha se nga viti 2016 regjistrimi i pronave nga ana e grave ka shënuar rritje pas këtij vendimi, Sipas Bublakut në vitin 2001-2002 regjistrimi i pronave nga gratë ka qenë vetëm 6%. Ndërsa lidhur me të dhënat kadastrale të Kosovës që gjenden në Serbi, Violetë Demaj- Këshilltare e lartë politike nga Bashkimi Evropian tha se këto të dhëna nuk kanë ardhur në Kosovë.
Sipas Demajt, marrëveshja për dhënien e këtyre të dhënave është bërë në vitin 2011, më tej ka pasur aneks në vitin 2013. Nga Demaj u bë e ditur se kjo marrëveshje e parasheh kthimin e e regjistrave kadastrale me qëllim ‘krahasimin’. Demaj tha se shteti i Kosovës e ka bërë krijimin e agjencionit mirëpo më tej nuk ka pasur përkushtim politik dhe nuk kanë vazhduar bisedimet për këtë çështje.
Më tej, Demaj tha se kjo marrëveshje e ka paraparë një komision tre palësh të përbërë nga ekspert nga Kosova, BE-ja dhe Serbia. Tutje, lidhur me çështjen e miratimit të Kodit Civil, Arlinda Alshiqi nga Ministria e Drejtësisë tha se Kodi Civil është aprovuar që një kohë të gjatë në Qeveri, mirëpo i njejti nuk ka kaluar 2 herë në Kuvendin e Kosovës.
Alshiqi tha se janë bërë adresime të neneve të ashtuquajtura nene problematike, ajo tha se shpreson që në dhjetor të këtij viti, ky kod të aprovohet. Alshiqi tha se miratimi i Kodit Civil do të ndihmonte fuqizimin e të drejtave pronësore, e në përgjithësi me theks të veçantë te grate, ligjin e familjes, ndarjen e pasurisë së bashkëshortëve etj.
Ndërsa, lidhur me zvarritjen e proceseve gjyqësore në Gjykatat e Kosovës për kontestet gjyqësore, Ermir Ahmetaj-Gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës tha se një pjesë e problemeve pronësore datojnë nga viti 1950 apo pas luftës së dytë botërore.
Ahmetaj tha se gjyqësori është në pritje të rasteve dhe zgjidhja e secilit rast varet nga kompleksiteti i rastit dhe vendimi meritor merret nga provat e rastit. Sipas gjyqtarit, një pjesë e caktuar e lëndeve që lidhen me çështje pronësore të komunitetit serb të cilët nuk gjenden në Kosovë është problematike për shkak të mungesës së Bashkëpunimit Juridik Ndërkombëtar.
Sipas të njëjtit, zgjidhja e rasteve nuk varet prej vullnetit të Gjykatës, por edhe prej veprimit aktiv të palëve në procedurë. Ahmetaj tha se secili gjyqtar i ka afër 200 lëndë që lidhen me pronësinë. Ai theksoi se gjatë vitit 2025, rreth 161 mije lëndë janë zgjidhur nga Gjykatat e Kosovës, e ku nga këto mbi 60 mijë lëndë kanë të bëjnë me fushën civile.
Ndërsa lidhur me çështjen e digjitalizimit, gjyqtari tha se nuk kanë qasje nga sistemi ‘Smil’ në Agjencinë Kadastrale, ku si gjyqtarë nuk munden të deponojnë vendimet gjyqësore që kanë të bëjnë me çështje pronësore në Agjencinë Kadastrale. Ndërsa lidhur me këtë, Bublaku nga Agjencia Kadastrale tha se janë zhvilluar disa takime më KGJK-në dhe për këtë ekziston edhe një marrëveshje.
Ndërsa lidhur me procesin e legalizimit ku mbi 350 mije ndërtime ilegale nuk janë legalizuar, Ramë Haziraj- Udhëheqës i Divizionit të Banimit (MMPHI) tha se ligji i ndërtimit i kategorizon objektet e ndërtimit në Kosovë. Haziraj përmendi kategorinë e parë, të dytë dhe të tretë.
Sipas Hazirajt shumica e këtyre shifrave të deklaruara janë objektet e kategorisë së parë ku hyjnë shtëpitë individuale në zona të ndryshme të Republikës së Kosovës.. Ai tha se Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kategorinë e parë e ka liruar nga taksat me qëllim që qytetarët të aplikojnë për realizimin e procesit të legalizimit.
Sipas Hazirajt të gjitha ndërtimet pa leje që e shkelin pronën publike nuk mund të legalizohen për momentin dhe e kalojnë në sistemin e pritjes.
Në panelin e dytë të moderuar nga Kreshnik Gashi, Kryeredaktor në KALLXO.com dhe bashkë-autor i raportit të hulumtimit, morën pjesë Burim Tahiri – Drejtor i Departamentit për Çështje Ligjore dhe Hulumtim në Institucionin e Avokatit të Popullit, Adrijana Hoxhić – Nënkryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut, Arbena Shehu – notere, si dhe Bekim Sejdiu – profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës.
Në këtë panel u diskutua për diskriminimin sistematik në ushtrimin e të drejtave pronësore nga gratë dhe komunitetet jo-shumicë, sfidat në regjistrimin dhe legalizimin e pronave, funksionimin e mekanizmave institucionalë, si dhe ndikimin e vonesave gjyqësore në realizimin e të drejtave pronësore.
Burim Tahiri nga Institucioni i Avokatit të Popullit diskutoi për pengesat me të cilat përballen gratë dhe komunitetet jo-shumicë në ushtrimin e të drejtave të tyre pronësore, duke trajtuar ndikimin e normave shoqërore dhe qasjen e institucioneve në garantimin e trajtimit të barabartë.
Adrijana Hoxhić, ndau me pjesëmarrësit sfidat me të cilat përballen komunat në identifikimin dhe menaxhimin e pronave të uzurpuara, si dhe për zbatimin e procesit të legalizimit të ndërtimeve pa leje në nivel lokal. Sipas saj, mirëbesimi tek institucionet është një nga sfidat më të mëdha me të cilat përballemi sot.
Ajo theksoi se orientimi i qytetarëve në procedurat administrative vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore, duke shtuar se institucionet duhet të ndërtojnë një sistem që ofron zgjidhje dhe jo barriera të reja.
Arbena Shehu, notere, ndau përvojat nga praktika noteriale lidhur me heqjen dorë nga trashëgimia dhe faktorët që ndikojnë në regjistrimin e ulët të pronave në emër të grave, si dhe trajtoi çështjen e qasjes së qytetarëve në shërbimet noteriale dhe integrimin e regjistrave publikë.
Sipas Shehut, regjistrimi i pronës në emër të të dy bashkëshortëve nuk duhet të mbetet çështje vullneti, por të bëhet një obligim ligjor.
Tutje, ajo theksoi se, ndonëse ligji garanton të drejta të barabarta për gratë dhe burrat në trashëgimi, në praktikë shumë gra ende hezitojnë t’i kërkojnë të drejtat e tyre për shkak të presionit familjar dhe normave patriarkale që vazhdojnë të ndikojnë në vendimmarrje.
Bekim Sejdiu, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, trajtoi çështjen e vonesave në procedurat gjyqësore pronësore dhe pasojat që ato kanë për qytetarët dhe sigurinë juridike.
Sipas Sejdiut, e drejta për gjykim brenda një kohe të arsyeshme nuk është vetëm një e drejtë individuale e qytetarëve, por edhe një tregues i efikasitetit të sistemit gjyqësor në një shtet.
Ai tha se Gjykata Kushtetuese e Kosovës së fundmi ka filluar të konstatojë shkelje të kësaj të drejte në raste të caktuara, ndërsa paralajmëroi se vonesat e gjata në trajtimin e lëndëve mund ta ekspozojnë shtetin ndaj kërkesave për kompensim nga qytetarët e dëmtuar.
Sejdiu përmendi gjithashtu nevojën për miratimin e një ligji që rregullon të drejtën për gjykim brenda një kohe të arsyeshme, duke theksuar se Kosova mbetet një nga vendet e pakta në rajon që ende nuk e ka një mekanizëm të tillë ligjor. Ky hulumtim u mundësua me mbështetjen e Bankës Botërore, përkatësisht Fondit për Paqe dhe Shtetndërtim i Bankës Botërore (SPF).
