Shpërndaje në: Grand Theft Auto 6, ose shkurt GTA 6, është ndoshta loja më e shumëpritur e dekadës së fundit dhe tani më në fund janë zbuluar çmimet e saj. Rockstar Games ka bërë të ditur se edicioni standard i GTA 6 do të kushtojë 80 dollarë, ndërsa edicioni Ultimate do të shitet për 100 dollarë.
Porositë e para hapen sot, më 25 qershor, duke u dhënë përdoruesve të PS5 dhe Xbox Series X/S mundësinë për ta rezervuar lojën paraprakisht. Ata që porosisin versionin digjital do të mund ta shkarkojnë lojën që nga 12 nëntori, në mënyrë që të jenë gati për të luajtur në ditën e lansimit, më 19 nëntor. Sa i përket versionit fizik, nuk do të përmbajë diskun e lojës.
Në kuti do të gjendet vetëm një kod për shkarkim, i cili gjithashtu do të aktivizohet më 12 nëntor për para-shkarkim. Kjo do të thotë se dallimi i vetëm mes versionit fizik dhe atij digjital do të jetë kutia. Për 20 dollarë më shumë, edicioni Ultimate do të ofrojë përmbajtje shtesë digjitale përfshirë armë, automjete, veshje dhe tatuazhe.
Një tjetër bonus do të jetë i disponueshëm për ata që e porosisin paraprakisht ose e blejnë lojën para 20 nëntorit. Ata do të përfitojnë paketën “Vintage Vice City”, një referencë ndaj GTA: Vice City të vitit 2002, e cila përfshin një limuzinë Vapid Stanier të vitit 1955 me garazh, veshje dhe modele flokësh të stilit të viteve ’80, si dhe një dizajn të veçantë për armët.
Njoftimi i Rockstar përfshin edhe një sërë pamjesh nga loja, ku shfaqen personazhet kryesorë Jason dhe Lucia, veshje, tatuazhe, automjete dhe madje edhe një delfin. GTA 6 është shtyrë dy herë, por tani lansimi është planifikuar për 19 nëntor. Rockstar e ka cilësuar atë si “lansimin më të madh të një loje në histori”.
