Kritikët e Rusisë thonë se kritiku Sokurovi s’është mjaftueshëm kritik

0%

Nga: New York Times Përktheu:

Blerta Haxhiu Shpërndaje në: Aleksandër Sokurovi ka sfiduar publikisht presidentin rus Vladimir Putin për çështje të ndjeshme si censura, kufizimi i lirive dhe represioni shtetëror.

Megjithatë, pavarësisht kritikave të tij ndaj pushtetit, shumë kundërshtarë të Kremlinit që jetojnë në mërgim e shohin atë me dyshim, duke argumentuar se ai gëzon privilegje dhe hapësira që kritikëve të tjerë të regjimit u janë mohuar. Kjo e ka kthyer regjisorin e njohur në një figurë po aq të admiruar sa edhe të debatueshme brenda dhe jashtë Rusisë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në kryqëzimin shpesh të trazuar mes artit dhe politikës në Rusi, Aleksandër Sokurov veçohet si një figurë e veçantë. Regjisori i njohur, i vlerësuar sidomos në qarqet e kinemasë artistike në Perëndim, ka zakon ta sfidojë publikisht presidentin rus Vladimir Putin për çështje të ndryshme të ndjeshme, përfshirë kufizimin e lirive dhe represionin shtetëror.

Megjithatë, këtë vit Bienalja e Venecias e hoqi emrin e tij nga lista e folësve pas protestave të një grupi artistësh rusë në mërgim. Ata pretenduan se Sokurovi përfaqëson një formë të kundërshtimit të lejuar nga shteti – një kritikë e kontrolluar që tolerohet nga autoritetet, ndërsa kundërshtarët e vërtetë përfundojnë në burg ose detyrohen të largohen nga vendi.

“Në shumë mënyra, fati i tij është fati i një artisti të talentuar, por të vetmuar”, tha Anton Dolin, një kritik i njohur rus i filmit që jeton në mërgim. “Kjo shpjegon si admirimin e madh që ka për të, ashtu edhe armiqësinë që ndesh”. “Së pari, filmat e tij ndalohen në Rusi”, shtoi ai.

“Por, nga ana tjetër, ai vazhdon të gëzojë respekt të madh dhe merr pjesë në takime të institucioneve e këshillave shtetërore”. Takimi i dhjetorit i Këshillit Presidencial për Shoqërinë Civile dhe të Drejtat e Njeriut e riktheu Sokurovin në qendër të vëmendjes.

Putini e emëroi atë në këtë këshill në vitin 2018 dhe regjisori e përdori mbledhjen vjetore me presidentin për t’i kritikuar politikat shtypëse të qeverisë. Kjo ishte e pazakontë për një organ këshillimor prej rreth 50 anëtarësh, i cili vitet e fundit është mbushur kryesisht me figura pro luftës dhe mbështetës të Kremlinit.

Gjatë takimit, Sokurovi deklaroi se censura ndaj artit sot është më e ashpër se në kohën e Bashkimit Sovjetik. Ai e quajti poshtërues etiketimin e kritikëve të qeverisë si “agjentë të huaj” dhe vuri në pikëpyetje politikën që u jep përparësi fëmijëve të veteranëve të luftës në Ukrainë për vendet falas në universitetet prestigjioze shtetërore.

Nuk ishte hera e parë që ai përballej me Putinin. Në një takim të ngjashëm në vitin 2021, presidenti rus reagoi me zemërim ndaj sugjerimit të Sokurovit që republikat me pakica etnike të kishin të drejtën të largoheshin lirisht nga Federata Ruse.

Në një intervistë, Sokurovi, një burrë trupmadh, me flokë të bardhë dhe që ecën me bastun, pranoi se shumica e njerëzve nuk do të mund të bënin deklarata të tilla pa pasoja. Megjithatë, ai e njeh Putinin prej dekadash, që nga koha kur ky i fundit ishte zyrtar lokal në Shën Petersburg.

Atëherë, regjisori kishte kërkuar ndihmën e tij për të shpëtuar studion e filmit të epokës sovjetike në qytet nga mbyllja. Edhe këtë herë, Putini shmangu përgjigjet e drejtpërdrejta ndaj kritikave të tij dhe sugjeroi që çështjet të diskutoheshin në një takim privat. Një takim i tillë ende nuk është zhvilluar.

Sokurovi tha se ndien një përgjegjësi të veçantë për të folur publikisht, sidomos për t’u siguruar që brezat e rinj rusë të trashëgojnë një vend ku mund të jetohet me dinjitet. “Ndonjëherë njerëzit më thonë se jam budalla, se nuk duhet t’i them këto gjëra, se është marrëzi dhe pa dobi”, tha ai gjatë një festivali të filmit rus në Paris, në mars të vitit të kaluar.

Atje ai prezantoi veprat e studentëve të tij, si edhe filmin e tij më të ri, “Ditari i regjisorit”, një dokumentar pesëorësh që ndërthur kronika historike me shënime nga ditarët e tij të viteve 1957–1990. “Interesi im është thjesht qytetar dhe njerëzor”, tha ai. “Jam i rrethuar nga njerëz të zakonshëm, jo nga qarqe qeveritare apo elitare.

Unë jam thjesht një regjisor që vjen nga shtresa punëtore”. Sipas tij, kritikat që ai shpreh shpesh bien në vesh të shurdhër. Përpara se të flasë publikisht, ai përgatitet me kujdes, duke i shkruar fjalimet si skenarë filmash, në mënyrë që të mos harrojë asnjë detaj.

“Për mua është shumë stresuese të flas publikisht, sepse kjo mund të sjellë reagime kundër meje dhe ta vështirësojë jetën time”, tha ai. “Megjithatë, nuk mund të hesht”. Veprimtaria e Sokurovit Aleksandër Sokurovi lindi më në një fshat pranë Liqenit Bajkal, në Siberi.

Për shkak të detyrave ushtarake të të atit, ai dhe motra e tij më e madhe kaluan një fëmijëri me lëvizje të shpeshta nga një vend në tjetrin. Ai e përshkruan të atin, veteran i dekoruar i Luftës së Dytë Botërore, si një njeri me temperament të fortë dhe vullnet të palëkundur. Nëna e tij njihte përmendësh opera ruse dhe italiane, edhe pse prindërit nuk e konsideronin artin si profesion.

Sokurovi thotë se ishte radioja ajo që i hapi horizontet. Programet sovjetike me muzikë klasike dhe shfaqje dramatike i zbuluan një botë shumë më të madhe sesa mjediset ushtarake ku u rrit. “Ajo ishte mësuesja dhe udhërrëfyesja ime”, kujton ai. Prirja e tij për të sfiduar mendimet dhe rregullat e vendosura u shfaq që në vitet e universitetit, thotë Sokurovi.

Ai kishte propozuar të shkruante një temë diplome mbi Carin Nikolla II, por iu tha se tema ishte e ndaluar. Në shenjë proteste, zgjodhi një subjekt krejtësisht të pazakontë: marrëdhëniet ekonomike midis Bashkimit Sovjetik dhe Kilit. Sipas tij, ky ishte një test personal për të parë nëse ishte i aftë ta çonte deri në fund një kundërshtim ndaj autoriteteve.

Një punë e rastësishme gjatë studimeve, ku organizonte si shfaqje teatrale ashtu edhe transmetime të drejtpërdrejta sportive për një televizion lokal, e çoi më vonë drejt kinemasë. Si i ri, ai e kuptoi se filmat sovjetikë përbënin një trashëgimi të madhe dhe serioze artistike, por nuk ndiente ndonjë tërheqje të veçantë për këtë profesion.

“Nuk më kanë pëlqyer kurrë filmat dhe as sot nuk jam adhurues i tyre,” tha ai. “Unë jam lexues”. Natyra e tij e pavarur i solli edhe probleme. Drejtori i Lenfilmit, qendrës kryesore të prodhimit filmik në Leningradin e atëhershëm (sot Shën Petersburg), e denoncoi tek autoritetet për qëndrimet e tij “antisovjetike”. Ai u mor në pyetje nga shërbimet e sigurisë dhe u vendos nën mbikëqyrje.

Sokurovi mendonte se karriera e tij kishte marrë fund. Por më pas ndodhi një kthesë historike: udhëheqësi sovjetik Mihail Gorbaçov nisi politikat e hapjes dhe transparencës në shoqëri. Pak vite më vonë, Bashkimi Sovjetik u shpërbë. Në vitin 2002, Sokurovi realizoi filmin “Arka Ruse”, një udhëtim surreal përmes 300 viteve të historisë ruse, që tërhoqi vëmendjen e publikut ndërkombëtar.

Në film, një narrator anonim endet nëpër korridoret e pafundme të Muzeut Hermitage në Shën Petersburg, duke takuar figura historike si Katerina e Madhe. Realizimi teknik i filmit u konsiderua revolucionar: të gjitha 95 minutat u xhiruan në një sekuencë të vetme, pa asnjë ndërprerje. Kritika kundër Rusisë Dialogët përfshinin edhe kritika ndaj Rusisë.

Në një skenë, narratori, ndërsa admiron kopjet e veprave të Rafaelit, thotë: “Rusët janë shumë të talentuar në kopjim. Pse? Sepse nuk keni ide tuajat. Autoritetet nuk duan që ju t’i keni ato”. Filmat e Sokurovit ndryshojnë shumë nga njëri-tjetri dhe vështirë se mund të futen në kategori të zakonshme si dramë apo komedi.

Ata janë shpesh eksperimentalë dhe, kur kanë një histori të mirëfilltë, ajo rrallëherë ndjek një rrjedhë lineare. “Ai është një mjeshtër i kinemasë autoriale – jashtëzakonisht i pavarur, origjinal dhe shumë i respektuar,” thotë kritiku Anton Dolin. “Në Rusi, njerëzit e admirojnë më shumë si autoritet moral dhe e respektojnë për veprën e tij sesa e shikojnë realisht në ekran”.

Në vitin 2011, filmi i tij “Faust” fitoi çmimin kryesor në Festivalin e Filmit të Venecias. Filmi ishte pjesë e një tetralogjie ku Sokurovi analizonte trashëgiminë historike të figurave si Lenini, Hitleri dhe Perandori japonez Hirohito. Për të studiuar jetën e Leninit, ai bashkëpunoi me shkrimtarin disident sovjetik Aleksandër Sollzhenicin.

“Përshtypja e parë që më la Sokurovi ishte kombinimi i rrallë i forcës mashkullore me ndjeshmërinë njerëzore”, tha Natalia Sollzhenicina, e veja e shkrimtarit, duke iu përgjigjur pyetjeve me email. Sipas saj, kjo përshtypje mbeti e pandryshuar me kalimin e viteve.

“E respektoj thellësisht gatishmërinë e tij për t’u folur hapur autoriteteve për problemet e shoqërisë sonë, megjithëse më vjen keq që kjo i kushton kaq shumë energji dhe forcë”, tha ajo. Kur nuk arriti të siguronte financim publik apo privat për realizimin e filmit “Faust”, Sokurovi iu drejtua Putinit për ndihmë.

Presidenti rus, i cili kishte shërbyer më parë si agjent sekret në Gjermani, u interesua për projektin dhe ndihmoi në sigurimin e 10 milionë eurove të nevojshme për realizimin e filmit. Edhe sot, regjisori mbetet i impresionuar nga vëmendja që Putini u kushton detajeve. Disa nga filmat e Sokurovit janë ndaluar të shfaqen në Rusi.

Mes tyre është edhe filmi i tij i fundit bardhezi, “Fairytale” (Përrallë), ku ai përdori pamje arkivore për të krijuar versione të animuara të Stalinit, Musolinit, Hitlerit dhe Çërçillit, të vendosur së bashku në botën e përtejme. Sipas tij, gjatë periudhës sovjetike autoritetet të paktën jepnin shpjegime të qarta kur ndalonin një film.

Në rastin e “Fairytale”, letra që refuzonte dhënien e licencës për shfaqje përmendte vetëm “ligjin federal” si arsye, pa sqaruar se për cilin ligj bëhej fjalë. Më herët këtë vit, organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë e njoftuan se do t’i akordonin një çmim prestigjioz për kontributin e tij jetësor në kinematografi.

Njoftimi erdhi pas përplasjes së tij më të fundit publike me Putinin. Megjithatë, sipas Sokurovit, çmimi u anulua papritur vetëm një ditë para ceremonisë. Po ashtu, një seri shfaqjesh retrospektive të filmave të tij, të planifikuara për të shënuar 75-vjetorin e lindjes, u refuzuan nga shumë teatro dhe salla kulturore në Shën Petersburg.

Në muajin maj, gjatë Bienales së Venecias, Sokurovi ishte parashikuar të ishte një nga folësit kryesorë në një seminar kushtuar kundërshtimit politik dhe lirisë së shprehjes.

Por më pas, një grup personalitetesh italiane të kulturës dhe artistësh të njohur rusë në mërgim publikuan një letër të hapur ku e kritikonin atë si shembull të një “kundërshtimi të sigurt”, që sipas tyre funksionon me miratimin e Kremlinit. Pak më vonë, festivali njoftoi papritur se Sokurovi nuk “ishte më i disponueshëm” për të marrë pjesë.

Regjisori mohoi se ishte tërhequr vetë nga aktiviteti. Në fund, thotë Sokurovi, frika është arsyeja kryesore që shumica e njerëzve zgjedhin të heshtin. Megjithatë, ai ndjen se ka detyrimin të përpiqet ta bëjë qeverinë të dëgjojë edhe zërat kundërshtues.

Edhe pse ndonjëherë pendohet për pasojat që sjellin deklaratat e tij, ai beson se shteti i fuqishëm rus duhet të dëgjojë mendime të ndryshme dhe jo vetëm zërat që pajtohen me pushtetin. Për këtë arsye, thotë ai, nuk do të zgjedhë kurrë rrugën e mërgimit. “Unë jam në këtë varkë dhe, nëse ajo fillon të fundoset, do të fundosem bashkë me të”, u shpreh ai.

Burimi: Koha