Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se partia e saj është e gatshme të diskutojë për një president konsensual dhe jopartiak, por ka theksuar se aktualisht nuk mund të flasë për një marrëveshje konkrete qeverisëse me ndonjë subjekt tjetër politik.
Në Debat Plus në RTV Dukagjini, Nagavci ka bërë të ditur se LVV-ja mbetet e hapur për dakordim rreth emrit të presidentit, nëse kjo do të ndihmonte në tejkalimin e ngërçit politik dhe institucional. Ajo ka theksuar se zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim dhe mbështetje më të gjerë politike.
“Sot është e gatshme që të bisedoj shumë seriozisht, LVV sot në këtë moment që po flasim dhe është mendim i imi dhe jemi të gatshëm dhe të interesuar që të dakordohemi për një emër konsensual jopartiak për president apo presidente të Kosovës.
Sepse praktika po na dëshmon çdo ditë që se kandidatët partiak nuk janë shembulli më i mirë… për shkak edhe të rolit unifikues që duhet të ketë”, ka deklaruar ajo. Megjithatë, e pyetur për mundësinë e një koalicioni me ndonjë parti tjetër, Nagavci ka deklaruar se në këtë fazë nuk mund të japë garanci për një marrëveshje të tillë.
Sipas saj, prioritet mbetet krijimi i institucioneve dhe gjetja e zgjidhjeve që sigurojnë stabilitet politik, ndërsa diskutimet me subjektet e tjera politike vazhdojnë. “Kjo është çështje që nuk mund t’i përgjigjemi sot. I kemi numrat e mjaftueshëm për ta votuar qeverinë. Gjithsesi, unë nuk mund të them sot që do të qeverisim me një parti tjetër”, deklaroi ajo.
Deklaratat e Nagavcit vijnë në kohën kur skena politike vazhdon të përballet me diskutime rreth formimit të institucioneve dhe arritjes së një marrëveshjeje për postin e presidentit.
