Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka bërë thirrje që vendet europiane të marrin një rol më aktiv në mbrojtjen dhe sigurinë e kontinentit, duke forcuar njëkohësisht pozicionin e Europës brenda NATO-s.
Pas samitit të vendeve të E5 në Berlin, Meloni tha se Europa duhet të vazhdojë të investojë në mbrojtje dhe të jetë më e përgatitur për sfidat e reja që po shfaqen në arenën ndërkombëtare.
Sipas saj, siguria nuk lidhet vetëm me aspektin ushtarak, por edhe me mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë energjetike, mbrojtjen nga sulmet kibernetike, menaxhimin e emergjencave dhe kontrollin e kufijve. Ajo vlerësoi se situata globale po ndryshon me ritme të shpejta dhe se vendet europiane duhet të rrisin bashkëpunimin dhe kapacitetet e tyre për t’u përballur me këto zhvillime.
Në të njëjtën kohë, Meloni kërkoi më shumë investime në industrinë europiane të mbrojtjes dhe mbështetje për inovacionin. Gjatë takimit në Berlin u diskutua edhe lufta në Ukrainë. Meloni përsëriti mbështetjen për Kievin, duke vlerësuar se një paqe e drejtë dhe afatgjatë nuk mund të arrihet pa garanci të forta sigurie për Ukrainën.
Sa i përket situatës në Lindjen e Mesme, ajo e konsideroi pozitiv memorandum-in e mirëkuptimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, por kujtoi se rajoni mbetet i ndjeshëm dhe kërkon vëmendje të vazhdueshme. Në këtë kuadër, ajo përmendi rëndësinë e sigurisë së rrugëve detare dhe lirisë së lundrimit, veçanërisht në Ngushticën e Hormuzit.
Në samitin e Berlinit morën pjesë liderët e Gjermanisë, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Polonisë, ndërsa takimi u zhvillua pak javë para samitit të ardhshëm të NATO-s.
