Komuna e Vushtrrisë transferoi një mësimdhënëse me kontratë të përkohshme pa respektuar procedurat

0%

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur se Komuna e Vushtrrisë ka vazhduar angazhimin e një mësimdhënëseje me kontratë me afat të caktuar, duke e transferuar atë në një shkollë tjetër pa zhvilluar procedurë të re të rekrutimit. Ky veprim sipas auditorit bie ndesh me rregullat në fuqi për punësimet në institucionet arsimore.

Siç vlerësohet në raportin e auditimit të performancës për vitin 2025, mësimdhënësja ishte punësuar fillimisht për të zëvendësuar një mësimdhënëse tjetër gjatë pushimit të lehonisë. Pas rikthimit të mësimdhënëses së rregullt në vendin e punës, kontrata e përkohshme duhej të përfundonte.

Megjithatë, komuna e kishte transferuar mësimdhënësen në një shkollë tjetër për të zëvendësuar një tjetër mësimdhënëse, pa hapur fare konkurs të ri dhe pa zhvilluar procedurat e nevojshme të rekrutimit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Auditori vlerëson se kjo ka ndodhur si pasojë e mosrespektimit të kufizimeve ligjore që lejojnë përdorimin e kontratave me afat të caktuar vetëm për qëllimin për të cilin janë shpallur, si dhe për shkak të mosnisjes së procedurave të reja për pozitën e krijuar.

Sipas ZKA-së, praktika e tillë cenon parimin e konkurrencës dhe transparencës në punësimin publik, dobëson kontrollin e brendshëm në menaxhimin e burimeve njerëzore dhe rrit rrezikun e mosrespektimit të procedurave ligjore. “Kryetari duhet të sigurojë që angazhimet e punonjësve me kontratë me afat të caktuar realizohen vetëm brenda qëllimit, kushteve kontraktuale dhe afatit të përcaktuar.

Çdo ndryshim i pozitës apo angazhimit të ri, të bëhet përmes procedurës së re të rekrutimit”- thuhet në tutje në raport. Menaxhmenti i komunës është pajtuar me rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Komuna e Vushtrrisë ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet.

Ky raporti i ZKA-së për Komunën e Vushtrrisë ka rezultuar me 16 rekomandime, prej tyre 4 janë rekomandime të reja dhe 12 janë të përsëritura. Në raportin e auditimit në vitin 2024, kjo komunë kishte marrë gjithashtu 16 rekomandime. Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU .

Burimi: Kallxo