Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), përmes Inspektoratit Qendror të Tregut (IQMT), është duke zhvilluar aksione inspektuese me qëllim parandalimin dhe luftimin e shitjes ilegale të cigareve elektronike për personat e mitur.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjatë pjesës së parë të muajit qershor 2026, inspektimet janë fokusuar kryesisht në bizneset që operojnë në afërsi të shkollave dhe që merren me shitjen e cigareve elektronike.
“Kontrollet janë realizuar në komunat e Prishtinës, Prizrenit, Gjilanit, Vushtrrisë, Ferizajt dhe Vitisë, ku inspektorët kanë verifikuar respektimin e Ligjit Nr. 04/L- 156 për Kontrollin e Duhanit lidhur me shitjen e produkteve të duhanit dhe produkteve të ngjashme.
Shkeljet e evidentuara gjatë këtyre inspektimeve janë në procedurë trajtimi dhe do të ndiqen sipas dispozitave ligjore përkatëse. Ndërkohë, Inspektorati Qendror i Tregut do të vazhdojë me aktivitete të ngjashme inspektuese në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu në njoftim thuhet se MINTI mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik, veçanërisht të të rinjve, si dhe në zbatimin e Ligjit Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit duke vendosur theks të veçantë në ruajtjen e të miturve në qasjen në produkte që mund të cenojnë mirëqenien e tyre.
