Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka gjetur mangësi në procesin e subvencionimit për renovimin e banesave kolektive në Komunën e Vushtrrisë, duke konstatuar se një projekt në vlerë prej 2 milionë e 715 mijë e 335 eurosh është zhvilluar pa marrëveshje të bashkëfinancimit ndërmjet palëve dhe pa miratim paraprak nga Kuvendi Komunal.
Sipas raportit të auditimit të performancës për vitin 2025, kontrata për punët “Renovimi, izolimi, fasadimi, rikonstruimi i çative dhe bodrumeve të objekteve kolektive dhe komunale” ishte paraparë të bashkëfinancohej nga Komuna e Vushtrrisë, N.P.L. “Përparimi” Sh.A. dhe qytetarët.
Megjithatë, auditori ka gjetur se mungonte marrëveshja zyrtare e bashkëfinancimit mes komunës, ndërmarrjes publike dhe këshillave të banorëve, e cila do të përcaktonte të drejtat dhe obligimet e secilës palë.
Po ashtu, ndonëse pjesëmarrja e Komunës së Vushtrrisë në financimin e projektit ishte planifikuar të arrinte në 83 për qind të vlerës së përgjithshme, projekti nuk ishte aprovuar paraprakisht nga Kuvendi Komunal, siç kërkohet nga rregulloret në fuqi për rastet kur komuna mbulon mbi gjysmën e kostos.
Sipas ZKA-së, këto mangësi kanë ardhur si pasojë e paqartësive në përcaktimin e pjesës së financimit për përfituesit privatë dhe asaj që i takon komunës, si dhe për shkak të kontrolleve të dobëta të brendshme në fazën e planifikimit dhe aprovimit të projekteve.
“Këto mangësi përbëjnë rrezik për shpenzime pa bazë të qartë ligjore, paqartësi në klasifikimin buxhetor, dhe njëkohësisht edhe në aspektin e raportimit financiar”- shkruhet në raport.
Për këtë, ZKA i ka rekomanduar kryetarit të Komunës së Vushtrrisë që projektet me bashkëfinancim të miratohen paraprakisht nga Kuvendi Komunal dhe që përmes marrëveshjeve të posaçme të përcaktohen qartë të drejtat dhe obligimet e secilës palë. Menaxhmenti i komunës është pajtuar me rekomandimin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.
Komuna e Vushtrrisë ka pranuar opinion të kualifikuar nga Auditori. Auditori jep opinion të kualifikuar kur Pasqyrat Financiare nuk janë në përputhje të plotë me standardet. Ky raporti i ZKA-së për Komunën e Vushtrrisë ka rezultuar me 16 rekomandime. Prej tyre, 4 janë rekomandime të reja dhe 12 janë të përsëritura.
Në raportin e auditimit në vitin 2024, kjo komunë kishte marrë gjithashtu 16 rekomandime. Raportin e plotë mund ta lexoni në KËTU .
