Meshtari i fjalës dhe i urave

0%

Në historinë e popullit shqiptar, figura e meshtarit nuk ka qenë kurrë vetëm një figurë liturgjike. Meshtari ka qenë (është) një figurë kulture, një zë ndërgjegjeje dhe një urë lidhëse mes shpirtit dhe kombit, mësues, ruajtës i gjuhës, bartës i kujtesës dhe ndërgjegje morale e kohës së vet.

Në këtë traditë të gjatë, ku feja (katolike) dhe identiteti nuk kanë qenë kundërshtare, por shpesh bashkudhëtare në kohë të vështira, vendoset edhe veprimtaria e misionarit tonë në Zvicër, konkretisht misionar i misionit katolik shqiptar në Luzern – Dr. don Anton Uka, prift, doktor shkence, psikolog dhe intelektual me vizion dhe horizont të gjerë kulturor e shpirtëror.

Prej disa vitesh në shërbim si meshtar në Zvicër, konkretisht në Luzern, don Antoni e ka kuptuar se misioni në mërgatë nuk mbaron me kremtimin e meshës, ai nuk e ka kufizuar misionin e tij vetëm në altarin e kishës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Përkundrazi, e ka zgjeruar kuptimin e shërbimit, duke e parë komunitetin shqiptar në mërgatë si një trup të gjallë që ka nevojë jo vetëm për sakramene, por edhe për kulturë, vetëdije historike dhe bashkim shpirtëror. Komuniteti shqiptar jashtë atdheut ka nevojë për më shumë: për lidhje, për vetëdije identiteti, për kulturë dhe për hapësira takimi ku fjala shqipe të mbetet e gjallë.

Pikërisht në këtë pikë fillon dimensioni i tij i dytë – ai i organizatorit kulturor dhe i ndërmjetësit të dialogut kombëtar.

Në bashkëpunim me shoqata tjera kombëtare në mërgatë, ka kontribuar në organizimin e takimeve kulturore e letrare, mbrëmjeve artistike, aktiviteteve historike, sportive e kombëtare, ka krijuar hapësira ku fjala shqipe, arti dhe kujtesa historike bëhen pjesë e jetës së përditshme të mërgatës.

Këto veprimtari nuk kanë qenë thjesht ngjarje kalendarike; ato kanë qenë akte ndërgjegjësimi, përpjekje për ta ruajtur gjuhën, kujtesën dhe identitetin në një realitet ku asimilimi është rrezik i heshtur.

Një nga kontributet më domethënëse në këtë drejtim është nisma “Gjurmëve të rrënjëve tona”, një takim kulturor dhe historik i organizuar për tre vite radhazi, i iniciuar prej tij dhe i përkrahur nga dy veprimtarë Bardhec Berisha, dhe Nue Zalli.

Kjo veprimtari nuk ishte thjesht një aktivitet kulturor; ajo u shndërrua në një platformë serioze kulturore, ku u ftuan figura eminente shqiptare nga fusha e historisë, letërsisë, teologjisë, muzikës, artit etj.

U mbajtën ligjërata, punime shkencore u promovuan libra, u hapën diskutime dhe u krijua një hapësirë reflektimi mbi rrënjët, identitetin dhe trashëgiminë tonë shpirtërore e kombëtare. Përmes promovimeve të librave dhe diskutimeve të hapura, kjo nismë ka dëshmuar se rrënjët nuk ruhen me nostalgji, por me veprim dhe vetëdije.

Titulli i kësaj nisme – “Gjurmëve të rrënjëve tona” – nuk është i rastësishëm. Në mërgatë, rrënjët nuk janë vetëm metaforë; ato janë çështje mbijetese kulturore. Brezat e rinj rriten mes dy botësh, dhe pa një ndërmjetësim të vetëdijshëm kulturor, lidhja me origjinën zbehet.

Përmes kësaj platforme, don Antoni ka dëshmuar se kujtesa nuk ruhet me retorikë, por me veprim konkret: me libra, me debat, me art, me praninë e figurave që përfaqësojnë vlerën e mendimit shqiptar.

Përmes organizimeve të tij, shqiptarët në Zvicër janë afruar më shumë, duke gjetur një hapësirë ku feja, kultura dhe përkatësia kombëtare nuk përjashtojnë njëra-tjetrën, por plotësojnë njëra-tjetrën. Ajo që e bën të veçantë kontributin e tij është aftësia për të thyer barrierat.

Në një kohë kur ndarjet krahinore, politike apo mendore rrezikojnë të krijojnë distanca të panevojshme mes shqiptarëve, ai ka arritur të krijojë hapësira bashkimi, ka dëshmuar se identiteti nuk është pronë e një grupi, por trashëgimi e përbashkët. Ka treguar se komuniteti nuk ndërtohet mbi përjashtime, por mbi dialog; jo mbi paragjykime, por mbi respekt.

Si intelektual, ai e kupton se feja pa kulturë rrezikon të mbyllet në formalizëm, ndërsa kultura pa dimension shpirtëror rrezikon të bëhet e zbrazët. Prandaj veprimtaria e tij përfaqëson një sintezë të rrallë: meshtari si bari shpirtëror dhe njëkohësisht si arkitekt i hapësirave kulturore; si njeri i lutjes dhe si organizator i dialogut kombëtar.

Në mërgatë, identiteti është gjithmonë në provë. Ai ruhet jo vetëm me flamur, por me arsim, me art, me kujtesë dhe me bashkim. Pikërisht në këtë pikë, veprimtaria e tij merr dimension më të gjerë: ajo shndërrohet në mision kombëtar në kuptimin më të lartë të fjalës – jo nacionalist, por integrues; jo përçarës, por bashkues.

Don Antoni dëshmon se intelektuali i vërtetë nuk është ai që flet nga distanca, por ai që ndërton ura. Dhe ura më e vështirë për t’u ndërtuar është ajo mes njerëzve që mendojnë ndryshe, por i përkasin të njëjtit trung. Dhe ajo që e bën figurën e tij edhe më të veçantë është dimensioni i tij personal dhe intelektual si psikolog dhe studiues i thellë i shpirtit njerëzor.

Si doktor shkence, ai e ndërthur në mënyrë të rrallë dijen shkencore me përvojën shpirtërore, duke ndërtuar një qasje moderne dhe të balancuar ndaj njeriut. Në librat e tij dhe në predikimet e tij në meshë e më gjerë, ai nuk e ndan psikologjinë nga teologjia, por i sheh ato si dy rrugë që çojnë drejt të njëjtës qendër: kuptimit të njeriut dhe shërimit të tij të brendshëm.

Një nga boshtet e mendimit të tij është fjala – jo vetëm si mjet komunikimi, por si themel ekzistence. Nuk është rastësi që don Antoni shpesh i rikthehet citatit biblik: “Në fillim ishte Fjala”. Për të, fjala është akt krijimi, është ndërgjegje, është përgjegjësi.

Në një kohë kur fjala shpesh banalizohet, ai e rikthen atë në dinjitetin e saj fillestar: si urë mes njeriut dhe Zotit, por edhe mes njeriut dhe njeriut. Në mënyrë të veçantë, ai shquhet për mënyrën se si i zbërthen Psalmet – jo si tekste të largëta liturgjike, por si përvoja të gjalla njerëzore.

Në interpretimet e tij, psalmet marrin një dimension modern dhe ekzistencial: ato bëhen zë i dhimbjes, i shpresës, i frikës dhe i besimit të njeriut të sotëm. Ai i zbërthen ato me ndjeshmëri psikologjike, duke i afruar me përditshmërinë e njeriut dhe duke i kthyer në një udhërrëfyes për jetën shpirtërore dhe emocionale.

Kështu, figura e tij nuk mbetet vetëm ajo e një meshtari apo organizatori kulturor, por zgjerohet në atë të një udhërrëfyesi të brendshëm, i cili përpiqet të ndërtojë ura jo vetëm mes njerëzve, por edhe brenda vetë njeriut – mes mendjes dhe shpirtit, mes besimit dhe arsyes, mes plagës dhe shpresës.

Ajo që e karakterizon më së miri veprimtarinë e tij është kjo harmoni e rrallë: shërbimi ndaj Zotit, përkushtimi ndaj kombit dhe thellësia e mendimit njerëzor.

Don Antoni dëshmon se në një kohë të fragmentuar, ku njeriu shpesh ndihet i ndarë brenda vetes dhe i larguar nga tjetri, është ende e mundur të ndërtohen ura – me fjalë të vërteta, me vepra konkrete dhe me një besim të gjallë në të mirën. Dhe ajo që mbetet nga kjo veprimtari nuk janë vetëm takimet, librat apo mysafirët e nderuar.

Mbetet fryma e bashkimit, ndjenja e përkatësisë dhe bindja se në mërgatë identiteti nuk ruhet vetvetiu – ai kërkon punë, përkushtim dhe vizion. Dhe pikërisht në këtë pikë, misioni i tij merr përmasa më të gjera: ai bëhet urë mes brezave, mes fesë dhe kulturës, mes atdheut dhe mërgatës – një urë që nuk ndërtohet me fjalë të mëdha, por me veprime të vazhdueshme dhe me përgjegjësi morale.

Burimi: Bota Sot