Shpërndaje në: Policia në Pakistan ka arrestuar një burrë i cili dyshohet se i ka mbajtur gruan dhe fëmijët e tij robër në shtëpi dhe i ka abuzuar ata për më shumë se një dekadë.
Gruaja e tij, një shtetase franceze me emrin Sylvie Yasmina, pretendon se burri e ka sulmuar familjen e tij fizikisht dhe mendërisht “çdo ditë” dhe e ka përshkruar atë si “shumë të dhunshëm”, ka njoftuar policia lokale.
Një nga djemtë e tyre arriti të dilte fshehurazi për të lajmëruar autoritete, gjë që çoi në një bastisje të shtëpisë së tyre në Bara, një qytet i largët në provincën malore Khyber Pakhtunkhwa. Policia ka gjetur Yasminën dhe pesë fëmijët e saj në një dhomë të ngushtë me kushte të rënda, dhe me mavijosje në të gjithë trupin.
Sipas policisë, Yasmina dhe fëmijët e saj janë dërguar në një strehë për gra në Peshaëar para se të kthehen në Francë. Sipas Yasminës, 54 vjeç, burri i saj e kishte mbajtur të burgosur familjen që kur ata u zhvendosën në Pakistan nga Australia në vitin 2014. “Sipas gruas…
Ajo nuk lejohej të takonte askënd, dy fëmijët e tyre më të mëdhenj kishin humbur studimet, ndërsa tre fëmijët më të vegjël kishin lindur në Pakistan dhe nuk ishin regjistruar kurrë në shkollë”, ka thënë një zyrtar i lartë policorë.
Autoritetet nuk e kanë bërë të ditur emrin e burrit të Yasminës, por kanë bërë të ditur se ai është një shtetas pakistanez i cili thuhet se qëndronte ilegalisht në Australi kur çifti u takua. Ata u martuan në vitin 2003 dhe jetuan në Australi deri në vitin 2014, kur u zhvendosën në Pakistan me dy fëmijët e tyre më të mëdhenj.
Yasmina pretendon se nuk ka pasur asnjë komunikim me botën e jashtme që atëherë. “Ne u privuam nga liria jonë, burri im nuk u kujdes për ne ashtu siç duhej si bashkëshort dhe baba i fëmijëve të mi. Ai na rrahu dhe ushtronte presion ndaj nesh çdo ditë”, ka shkruar Yasmina në deklaratën e saj në polici, pjesë të së cilës janë publikuar nga mediat lokale.
