Monedha digjitale evropiane pritet të prezantohet deri në vitin 2029, si pjesë e një përpjekjeje për të forcuar autonominë evropiane në sistemet e pagesave dhe për të ulur dominimin e dollarit amerikan në ekonominë globale.
Komiteti për Çështje Ekonomike dhe Monetare i Parlamentit Evropian miratoi të martën projektin e shumëpritur për euron digjitale, ndërsa Bashkimi Evropian synon të zvogëlojë varësinë nga sistemet e pagesave të kontrolluara nga SHBA.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore Evropiane (ECB), gjigantët amerikanë të pagesave Visa dhe Mastercard përbëjnë rreth 61% të pagesave me kartela në zonën euro, si dhe pothuajse të gjitha transaksionet ndërkufitare me karta.
Debati mbi sovranitetin financiar të Evropës është intensifikuar në kushtet e tensioneve gjeopolitike dhe shqetësimeve për varësinë e BE-së nga infrastruktura e huaj e pagesave. Euroja digjitale është një nga masat për të forcuar autonominë strategjike të Evropës.
Ajo do të ishte një formë digjitale e parasë së bankës qendrore, e emetuar dhe e garantuar nga ECB, dhe e dizajnuar për të plotësuar paratë e gatshme dhe shërbimet bankare ekzistuese, jo për t’i zëvendësuar ato. Sipas propozimit, qytetarët do të mund të mbajnë euro digjitale në një portofol elektronik të posaçëm, me një kufi mbajtjeje që ende nuk është përcaktuar.
Euro dixhitale po vjen, çfarë do të thotë saktësisht kjo për Evropën? Sistemi do të mbështesë pagesa si online ashtu edhe offline dhe synon të ofrojë një nivel të lartë privatësie, ku ECB nuk do të mund të identifikojë drejtpërdrejt përdoruesit nga të dhënat e pagesave.
ECB do të sigurojë infrastrukturën bazë, ndërsa bankat komerciale dhe ofruesit e shërbimeve të pagesave do të ofrojnë shërbimet e euros digjitale për klientët. Institucionet financiare pritet të kompensohen për pjesëmarrjen në sistem, ndërsa tregtarët do të paguajnë tarifa që pritet të jenë më të ulëta se ato të transaksioneve aktuale me karta.
Mënyra se si do të strukturohet ky kompensim mbetet një nga çështjet më të debatueshme para negociatave me shtetet anëtare të BE-së, sipas tre burimeve të njohura me diskutimet, raporton euronews .
“E mirëpresim që Komiteti ECON i Parlamentit Evropian ka rënë dakord për qëndrimin e tij mbi paketën e monedhës së vetme, e cila do të mbrojë paranë fizike euro si mjet ligjor, ndërkohë që do të formësojë edhe euron digjitale”, tha ECB në një deklaratë.
“Miratimi i rregullores për euron digjitale është një fitore e madhe për qytetarët dhe bizneset e vogla,” tha eurodeputeti italian Pasquale Tridico, i cili e negocioi dosjen në emër të grupit “E Majta”, duke e quajtur votimin “historik”. Bashkimi Evropian nuk është i vetmi që po zhvillon një monedhë digjitale publike.
Kina tashmë ka prezantuar juanin digjital, ndërsa Rusia ka njoftuar se rubla digjitale do të bëhet funksionale në shtator 2026. Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur një qasje tjetër.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka braktisur planet për një monedhë digjitale të bankës qendrore dhe ka mbështetur zhvillimin e “stablecoins” – asete kripto private të dizajnuara për të ruajtur një vlerë të qëndrueshme.
Meqenëse pjesa më e madhe e stablecoins globalë janë të denominuar në dollarë amerikanë, mbështetësit argumentojnë se kjo teknologji mund të forcojë rolin ndërkombëtar të dollarit dhe përdorimin e tij në pagesat ndërkufitare. Megjithatë, disa politikëbërës dhe ish-zyrtarë besojnë se një monedhë digjitale e SHBA-së mund të rikthehet në agjendë në të ardhmen.
Timothy Massad, ish-kryetar i Komisionit për Tregtinë e të Ardhmes së Mallrave (CFTC), tha për CoinDesk në maj se diskutimet në Uashington vazhdojnë dhe se një dollar digjital mund të bëhet i pashmangshëm. Parlamenti Evropian pritet të formalizojë qëndrimin e komitetit në një votim plenar në Strasburg në fillim të korrikut.
Më pas do të nisin negociatat me 27 shtetet anëtare të BE-së, me synimin për të arritur një marrëveshje përfundimtare deri në fund të vitit.
