Shpërndaje në: Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë, ka njoftuar se ka mbajtur mbledhjen e kryesisë dhe me shumicë votash kanë kërkuar nga lidershipi i LDK-së, të jap dorëheqje si akt moral, gjegjësisht nga kryetari Lumir Abdixhiku. Në njoftimin e degës së LDK-së në Pejë, thuhet se kanë vlerësuar që përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
Kjo degë udhëhiqet nga Gazmend Muhaxhiri, i cili është edhe kryetar i Komunës së Pejës. Lidhja Demokratike e Kosovës në këto zgjedhje është radhitur sërish e treta me 16.69% të votave.
“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë.
Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja”, thuhet në postimin në Facebook. Kjo kërkesë e degës së LDK-së në Pejë për dorëheqjen e Abdixhikut është shpërndarë nga Arben Gashi i cili ka siguruar votat për të qenë deputet i legjislaturës së 11-të nga radhët e kësaj partie.
