Policia gjermane ka bastisur banesat e pesë personave të dyshuar për anëtarësi në organizatën terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), njoftuan të martën prokurorët federalë. Asnjë person nuk është arrestuar gjatë operacioneve të zhvilluara në qytetin Filderstadt në jugperëndim të Gjermanisë, në Potsdam pranë Berlinit dhe në rajonin Limburg-Weilburg në pjesën qendrore të vendit, raporton dpa.
Sipas Prokurorisë Federale në Karlsruhe, të dyshuarit hetohen jo vetëm për anëtarësi në një organizatë terroriste të huaj, por edhe për dyshimet se kanë hyrë në Gjermani për t’u lidhur me mbështetës të tjerë të “Shtetit Islamik” në vend dhe në pjesë të tjera të Evropës, si dhe për mbledhjen e fondeve për grupin ekstremist.
Autoritetet kryen gjithashtu bastisje në objekte të lidhura me 11 persona të tjerë, të cilët aktualisht nuk konsiderohen të dyshuar në hetim.
