Ish-mbrojtësi i Anglisë, Jamie Carragher, ka këshilluar trajnerin Thomas Tuchel që të aktivizojë Declan Rice në ndeshjen e rëndësishme ndaj Ganës, por të mos nxitojë me rikthimin e Bukayo Saka.
Rice u zëvendësua në minutën e 72-të në fitoren 4:2 ndaj Kroacisë në ndeshjen hapëse të Grupit L, por më vonë konfirmoi se bëhej fjalë vetëm për menaxhimin e një problemi të vjetër në tendinën e pasme të kofshës dhe jo për një lëndim serioz. Sipas Carragherit, mesfushori i Arsenalit është shumë i rëndësishëm për Anglinë dhe nuk duhet të pushohet në një ndeshje me peshë si ajo ndaj Ganës.
“Nuk pushon lojtarë kur je në Kupën e Botës. Nëse Anglia fiton ndaj Ganës dhe siguron vendin e parë në grup, atëherë mund të mendosh për rotacione në ndeshjen e tretë. Nuk mendoj se je në situatë për ta lënë jashtë Declan Rice”, deklaroi Carragher. Ai shtoi se largimi i Rice nga fusha kundër Kroacisë ishte më shumë një masë paraprake sesa pasojë e një lëndim.
Në anën tjetër, ish-futbollisti anglez mendon se Anglia duhet të jetë më e kujdesshme me Sakan, i cili ende po rikuperohet plotësisht pas problemeve fizike që e kanë shoqëruar muajt e fundit. “Fakti që Saka nuk e nisi ndeshjen e parë tregon se situata e tij është më delikate se ajo e Rice. Nuk duhet rrezikuar, sepse Anglia nuk dëshiron ta humbasë për pjesën tjetër të turneut”, th eksoi ai.
Sipas raportimeve, Tuchel pritet t’i besojë sërish Noni Madueke nga minuta e parë në krahun ofensiv, ndërsa ende po shqyrton disa ndryshime në formacion për sfidën ndaj Ganës. Një fitore e Anglisë ndaj përfaqësueses afrikane do t’i siguronte “Tre Luanëve” kualifikimin në fazën eliminatore dhe do t’i afronte shumë pranë vendit të parë në Grupin L.
