Kurasao ka thyer një tabu në Botëror duke lejuar futbollistët të qëndrojnë me bashkëshortet, partneret dhe fëmijët gjatë gjithë turneut. Ndryshe nga shumica e përfaqësueseve që izolojnë lojtarët, federata e Kurasait ka vendosur të fokusohet te mirëqenia mendore dhe emocionale e tyre.
Sipas mjekes së ekipit, Suzanne Huurman, lojtarët mund të ndajnë dhomën me partneret, ndërsa familjet me fëmijë marrin edhe një dhomë shtesë. Federata ka mbuluar gjithashtu shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit të familjarëve. Huurman shpjegoi se prania e familjes ndihmon në uljen e stresit dhe nostalgjisë për shtëpinë gjatë një turneu të gjatë e të ngarkuar.
Në kampin e ekipit në Boca Raton, Florida, është krijuar një atmosferë familjare e pazakontë për një Botëror. Kurasao ka 1 pikë pas dy ndeshjeve: humbja 7–1 me Gjermaninë dhe barazimi pa gola me Ekuadorin, ndërsa shpreson ende të përfshihet mes ekipeve që do të kalojnë në fazën tjetër. Takimi i fundit do të jetë me Bregun e Fildishtë.
