Avokatët e Popullit të Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut nënshkruan memorandum bashkëpunimi, me synim thellimin e koordinimit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, adresimin e problemeve civile me karakter ndërkufitar dhe krijimin e mekanizmave të përbashkët në interes të qytetarëve të tri vendeve.
Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, tha se memorandumi përfaqëson një hap të rëndësishëm në konsolidimin e bashkëpunimit të deritanishëm ndërmjet institucioneve homologe. “Memorandumi i bashkëpunimit është vetëm një hap i konsolidimit të bashkëpunimit të vazhdueshëm që kemi pasur.
Është një shembull i mirë që vendet që jetojnë në një rajon, mund të bashkëpunojnë mes vete në interes të qytetarëve. Mbrojtja e të drejtave të njeriut shpeshherë sfidohet me situata krizash. Konfliktet e vazhdueshme, krizë të ndryshme shëndetësore, ekonomike, financiare e energjetike, e kanë zhvendosur vëmendjen e shteteve nga prioriteti që kanë.
Është detyrë e përgjegjësi jona si avokat të popullit, që vendeve tona, t’i tërhiqet vëmendja, t’u tregohet që vendoset në qendër interesi i tyre”, tha Qelaj. Ai tha se fokusi kryesor i memorandumit do të jetë shkëmbimi i përvojave, trajtimi i çështjeve ndërkufitare dhe përmirësimi i shërbimeve për qytetarët. “Shkëmbimi i përvojave është njëra nga çështjet e para.
Tregon ku është rajoni, jo vetëm vendi dhe mundëson të jemi me efikas në adresimin e çështjeve që janë prioritet. Bashkëpunimi në ofrimin e shërbimeve të tjera, kur në institucionet të vendeve respektive, ofrojmë shërbime për njëri-tjetrin, në situatë kur qytetarët tanë ndodhen në një situatë në shtetet përkatëse.
Jemi fokusuar tek çështjet ndërkufitare, problemi me dokumente dhe me të drejtat civile. Parasheh edhe krimin e mekanizmave të përbashkët. Ofrimi i shërbimeve shëndetësore duhet të jetë në fokusin tonë dhe çështje të tjera”, tha ai.
Avokati i Popullit i Shqipërisë, Endrit Shabani, tha se bashkëpunimi synon që të drejtat e garantuara me ligj të zbatohen në praktikë dhe qytetarët të mos përballen me pengesa kur lëvizin ndërmjet vendeve. “Qeveritë tona po bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, por qytetarët nuk i gëzojnë të drejtat në letër, por praktikë dhe kjo është detyra jonë që të kthehen në praktikë.
Distanca mes të drejtave në letër dhe të gëzuara, në përballje me institucionin, kjo distancë të jetë sa më e vogël. Në fund të ditës ka një përfitues direkt dhe është qytetari shqiptar i vendeve tona, që në fakt nuk duhet ta ndiejnë kur kalojnë kufirin.
Pavarësisht se ku përballet qytetari, qoftë qytetari i Kosovës apo i Shqipërisë, ne do bashkëpunojmë me njëri-tjetrin që mos ta ndiejnë këtë kufirin ligjor, por të ndiej që të drejtat e tyre garantohen në kohë reale”, tha Shabani.
Ndërkaq, Avokati i Popullit i Maqedonisë së Veriut, Faton Selami, vlerësoi se memorandumi krijon bazën për zgjerimin e bashkëpunimit edhe me shtete të tjera të rajonit. “Është një vazhdimësi i marrëveshjeve paraprake të nënshkruara nga institucione tona. Me këto marrëveshje synojmë që më tepër të thellojmë dhe avancojmë.
Ky memorandum bashkëpunimi, është në baza, në të cilin mund të përfshihen edhe shtetet e tjera të Ballkanit, Të krijohet një rrjet edhe më i gjerë i institucioneve, të cilat si detyrë kryesore e kanë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut, që nuk njohin kufi dhe nuk duhet të njohin kufi”, tha Selami./KP
