Përkeqësimi i fortë i klimës së biznesit në vitet e fundit, AmCham shënon rënien më të madhe historike

0%

Klima e biznesit në Shqipëri është përkeqësuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit, sipas Indeksit të Biznesit të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri (AmCham) për vitin 2025, i sapopublikuar. Sipas raportit, indeksi ka zbritur në 40.34 pikë nga 100 të mundshme, duke shënuar një rënie prej 6.13 pikësh krahasuar me vitin 2024, kur ishte në nivelin 46.47.

Kjo është rënia më e fortë e regjistruar që nga fillimi i publikimit të indeksit në vitin 2012. Ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në këtë përkeqësim renditen klima politike e brendshme, infrastruktura, performanca e ekonomisë, burokracia qeveritare dhe perceptimi i korrupsionit.

Në raport theksohet se disa tregues kanë shënuar nivelet më të ulëta historike në 14 vitet e fundit, duke sinjalizuar sipas AmCham një dobësim jo të izoluar, por të përhapur në disa dimensione të mjedisit të biznesit. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Neritan Mullaj, deklaroi se situata përbën një sinjal alarmi për institucionet dhe klimën e investimeve në vend.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas të dhënave, edhe perceptimi i përgjithshëm i anëtarëve të AmCham për klimën e biznesit ka rënë me 9.54 pikë, duke arritur në 37.02. Bizneset kanë identifikuar si shqetësime kryesore monopolin dhe konkurrencën e pandershme, burokracinë qeveritare, klimën politike, ekonominë informale, mungesën e stafit të kualifikuar dhe korrupsionin.

Një nga problemet më të theksuara mbetet informaliteti, ku 73% e të anketuarve e konsiderojnë atë të lartë ose shumë të lartë. Në raport theksohet se masat kundër informalitetit nuk kanë prodhuar rezultate të qëndrueshme.

Nga treguesit e veçantë, rëniet më të forta janë regjistruar në klimën politike (-14.00 pikë), infrastrukturë (-12.29), performancën e ekonomisë (-11.44), burokracinë qeveritare (-9.54) dhe korrupsionin (-9.36). Po ashtu, bizneset raportojnë përkeqësim të marrëdhënieve me institucionet publike, veçanërisht me pushtetin vendor, administratën tatimore, ministritë dhe doganat.

Megjithatë, i vetmi tregues që ka shënuar përmirësim është gjetja e stafit vendas të kualifikuar (+1.45 pikë), edhe pse mbetet ende një sfidë për bizneset. Raporti vëren gjithashtu rënie të perceptimit për ekonominë dhe kërkesën e brendshme, ndërsa eksportet dhe furnizimi me energji paraqiten më të qëndrueshme.

Për herë të parë, anketa ka përfshirë edhe vlerësimin e mjedisit digjital, ku rezultatet janë të përziera: infrastruktura digjitale vlerësohet pozitivisht nga 39.2% e bizneseve, ndërsa shërbimet e qeverisjes elektronike nga 30.1%. Sipas AmCham, pritshmëritë për vitin 2026 mbeten pesimiste, pasi bizneset nuk presin përmirësim të ndjeshëm nga nivelet aktuale.

Anketa është zhvilluar online nga 30 mars deri më , me pjesëmarrjen e 208 bizneseve, prej të cilave 175 e kanë plotësuar plotësisht.

Burimi: Bota Sot