Forcat e sigurisë turke kanë zhvilluar një operacion të gjerë në Ankara, ku kanë ndaluar mbi 200 persona të dyshuar për lidhje me grupe ekstremiste, përfshirë organizatën terroriste Shteti Islamik (ISIS), vetëm pak javë para samitit të NATO-s që do të mbahet në kryeqytetin turk.
Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet t’u bashkohet liderëve të 32 vendeve anëtare të aleancës në samitin e NATO-s, i cili do të zhvillohet më 7 dhe 8 korrik në Ankara.
Sipas AP, Turqia po përgatit masa të rrepta sigurie për këtë ngjarje, duke përfshirë kufizimin e qasjes në rrugët që çojnë drejt aeroporteve, izolimin e zonave përreth vendit ku do të mbahet samiti dhe hoteleve ku do të akomodohen delegacionet, si dhe ndalimin e protestave.
Qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdogan e ka vendosur sigurinë në krye të prioriteteve, ndërsa operacione të ngjashme kundër grupeve ekstremiste zhvillohen rregullisht në vend. Sipas Zyrës së Kryeprokurorit, në orët e para të së martës janë lëshuar urdhra ndalimi për 241 persona të dyshuar, ndërsa 209 prej tyre janë arrestuar gjatë aksioneve të policisë dhe xhandarmërisë në Ankara.
Operacionet kanë vazhduar edhe gjatë ditës për kapjen e të dyshuarve të mbetur. Në mesin e të arrestuarve janë 56 persona të dyshuar për lidhje me organizatën terroriste ISIS dhe 35 të dyshuar si anëtarë të Partisë/Frontit Revolucionar për Çlirimin e Popullit (DHKP-C), një grup i ekstremit të majtë i njohur për sulme të armatosura dhe atentate në Turqi.
ISIS ka qenë përgjegjës për disa sulme vdekjeprurëse në Turqi ndër vite, përfshirë sulmin në një klub nate në Stamboll gjatë festimeve të Vitit të Ri 2017, ku humbën jetën 39 persona. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
