Mesfushori i Ganës, Thomas Partey, ka humbur apelin kundër vendimit që i ndalon hyrjen në Kanada, duke e lënë jashtë ndeshjes hapëse të kombëtares së tij në Kupën e Botës kundër Panamasë. Ish-lojtari i Arsenalit kishte aplikuar për vizë të përkohshme për të hyrë në Kanada si pjesë e delegacionit të Federatës së Futbollit të Ganës, por kërkesa e tij ishte refuzuar. Një apel i paraqitur në gjykatën federale të martën u rrëzua menjëherë. Sipas dokumenteve të paraqitura në proces, autoritetet kanadeze argumentuan se Partey nuk kishte deklaruar akuzat penale me të cilat përballet në Britaninë e Madhe kur kishte plotësuar aplikimin fillestar për vizë. Në dokumentin e paraqitur nga autoritetet e emigracionit të Kanadasë thuhet se, më , Partey kishte aplikuar për vizë për të marrë pjesë në ndeshjen e Ganës ndaj Panamasë në Toronto. Megjithatë, në pyetjet që lidhen me të kaluarën penale dhe sigurinë, ai kishte deklaruar se nuk ishte arrestuar, akuzuar apo dënuar për ndonjë vepër penale në asnjë vend. 33-vjeçari aktualisht përballet me shtatë akuza për përdhunim dhe një për sulm seksual në Londër. Ai i mohon të gjitha akuzat dhe procesi gjyqësor ende nuk ka përfunduar. Ministria e Punëve të Jashtme e Ganës e kishte cilësuar vendimin fillestar të Kanadasë si “të padrejtë dhe disproporcional”, duke theksuar se ndaj futbollistit nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që e shpall fajtor. Nga ana tjetër, autoritetet kanadeze kanë mbrojtur vendimin duke theksuar se vendi ka politika të rrepta për hyrjen e personave që përballen me akuza të rënda penale. Pavarësisht situatës, trajneri i Ganës, Carlos Queiroz, e kishte përfshirë Parteyn në listën përfundimtare të lojtarëve, duke u mbështetur në parimin e prezumimit të pafajësisë. Pas largimit nga Arsenali në fund të sezonit 2024/25, Partey vazhdoi karrierën në Spanjë, ku aktualisht aktivizohet me Villarrealin. Megjithatë, për shkak të vendimit të autoriteteve kanadeze, ai nuk do të jetë i disponueshëm për ndeshjen e parë të Ganës në Botërorin 2026.
