Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Shtime, komunë kjo që udhëhiqet pikërisht nga kjo parti dhe kryetari i saj Qemajl Aliu – ka akuzuar kryesuesin e Kuvendit Komunal, Rrahman Jakupi, për shkelje të vazhdueshme ligjore, duke pretenduar se brenda pesë muajve të fundit Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka konstatuar si të kundërligjshme 11 vendime të Kuvendit Komunal.
Përmes një reagimi publik në Facebook, LVV-ja e ka cilësuar Jakupin si “rekordmen të shkeljeve ligjore”, duke e akuzuar për mungesë të njohurive procedurale dhe për veprim sipas urdhrave politikë. “Plot 11 vendime të Kuvendit Komunal të Shtimes janë konstatuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal si të kundërligjshme”, thuhet në reagim.
Sipas LVV-së, këto vendime janë rezultat i asaj që e quan qasje të papërgjegjshme dhe joprofesionale në drejtimin e Kuvendit Komunal. “Kjo është pasojë e qasjes së papërgjegjshme dhe joprofesionale në udhëheqjen e Kuvendit Komunal nga Rrahman Jakupi”, thuhet më tej.
Në reagim pretendohet gjithashtu se edhe seanca e fundit e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal është thirrur në kundërshtim me procedurat. “Edhe seanca e fundit e jashtëzakonshme është thirrur pa ekzistuar rrethana të jashtëzakonshme dhe pa u bashkëngjitur materialet përkatëse”, ka deklaruar LVV.
Dega e LVV-së ka publikuar edhe listën e 11 vendimeve që, sipas saj, janë konstatuar si të kundërligjshme nga MAPL, përfshirë vendime që lidhen me Komitetin për Komunitete, rregulloret komunale, komisionet e Kuvendit dhe çështje të pronës komunale.
Po ashtu, LVV ka kritikuar edhe asamblistët e PDK-së dhe LDK-së, duke pretenduar se kanë mbështetur me votat e tyre vendimet që konsiderohen të kundërligjshme. “Hiq më pak fajtorë nuk janë edhe asamblistët e PDK-së dhe LDK-së që me votën e tyre i mbështetën këto vendime të kundërligjshme”, thuhet në reagim.
Në fund, LVV ka kërkuar respektim më të madh të ligjit dhe përgjegjësi institucionale, duke theksuar se qytetarët e Shtimes meritojnë institucione që funksionojnë në përputhje me ligjin. “Qytetarët e Shtimes meritojnë institucione që punojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe respekt për ligjin, ashtu siç është ekzekutivi”, përfundon reagimi. / Telegrafi
