Në episodin e 77-të të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga , specialistja e ortodoncisë, Pasionare Xharra-Budima ka folur për rëndësinë e diagnostikimit të hershëm të anomalive të nofullave dhe dhëmbëve, duke theksuar se ortodoncia nuk lidhet vetëm me estetikën, por edhe me funksionin, frymëmarrjen dhe zhvillimin e përgjithshëm të fëmijës.
Sipas saj, një nga keqkuptimet më të mëdha është se ortodoncia merret vetëm me drejtimin e dhëmbëve. “Ortodoncia nuk ka të bëjë vetëm me drejtimin e dhëmbëve, por me udhëheqjen e rritjes dhe zhvillimit të kokës dhe qafës, duke krijuar harmoni jo vetëm në estetikë, por edhe në funksion”, tha Xharra-Budima.
Ajo shpjegoi se zhvillimi i nofullave fillon që në jetën intrauterine, ndërsa periudha më e rëndësishme për ortodontët është momenti kur fëmijët fillojnë të ndërrojnë dhëmbët e qumështit me ata të përhershëm. Për këtë arsye, rekomandohet që fëmijët të vizitohen nga ortodonti rreth moshës gjashtëvjeçare. “Kjo është mosha kur rekomandohet që pacienti të vizitojë ortodontin.
Sa më herët të diagnostikohet një anomali, aq më lehtë mund të korrigjohet”, u shpreh ajo. Gjatë diskutimit, specialistja ndaloi veçanërisht te ndikimi i frymëmarrjes në zhvillimin e nofullave. Ajo theksoi se fëmijët që marrin frymë kryesisht me gojë mund të zhvillojnë probleme në nofullën e sipërme, pasi pozicioni i gjuhës dhe muskujve të fytyrës ndikon drejtpërdrejt në rritjen e saj.
Specialiste e ortodoncisë, Pasionare Xharra-Budima Foto: Ridvan Slivova “Kur fëmija merr frymë me gojë, gjuha zbret poshtë dhe nuk mbështetet në qiellzë. Kjo pengon zhvillimin normal të nofullës së sipërme”, tha ortodontja. Ajo shtoi se trajtimi i këtyre rasteve kërkon bashkëpunim multidisiplinar dhe nuk mund të zgjidhet vetëm me aparate ortodontike.
“Nuk mundemi me thanë që vetëm ortodoncia e zgjidh problemin. Duhet të konsultohet edhe otorinolaringologu dhe profesionistë të tjerë”, deklaroi Xharra-Budima. Një tjetër temë e trajtuar ishte ndikimi i zakoneve të hershme, si përdorimi i zgjatur i biberonit apo mbajtja e gishtit në gojë, të cilat mund të shkaktojnë çrregullime të gëlltitjes dhe të pozicionit të gjuhës.
Specialiste e ortodoncisë, Pasionare Xharra-Budima Foto: Ridvan Slivova “Mesatarisht gjatë ditës ne gëlltisim 800 deri në 2000 herë. Gjuha në këtë mënyrë vepron si një aparat ortodontik dhe mund të ndikojë në pozicionin e dhëmbëve”, shpjegoi ajo. Duke folur për dhëmbët e pjekurisë, Xharra-Budima hodhi poshtë një nga mitet më të përhapura.
“Dhëmballa e pjekurisë është shumë larg për me shkaktu dendësi në pjesën e përparme. Problemet që shkakton janë kryesisht lokale, si inflamacioni, infeksioni ose dëmtimi i dhëmbit fqinj”, tha ajo. Sa i përket trajtimeve ortodontike, specialistja theksoi se suksesi nuk varet vetëm nga aparatet, por edhe nga higjiena orale dhe kujdesi i pacientit. “Rregulli numër një është higjiena.
Duhet të jetë perfekte”, u shpreh ajo, duke shtuar se konsumimi i tepërt i pijeve me sheqer rrit rrezikun për demineralizimin e dhëmbëve dhe zhvillimin e kariesit.
