Përpara se të niste copëtimi i dhimbshëm i trojeve tona, diku larg në rrënjët e lashtësisë, Kombi Shqiptar (shqiptaria) shtrihej në një territor prej rreth 100 mijë kilometrash katrorë. Pjesën tjetër të historisë e di gjithsecili. Kush nuk e di, le ta mësojë. Kujt nuk i intereson kjo histori, le ta kërkojë një tjetër diku gjetkë.
Kushdo tjetër që e ka shpallur qoftë edhe një copë tokë shqiptare të humbur, le ta kërkojë atë në librat e historisë. Një ditë, ato pjesë do të jenë të bashkuara në një trup të vetëm.
Mirëpo, ajo çfarë shfaqet si problematike dhe po aq e dhimbshme, e që na lëndon më së shumti, është përçarja mes shqiptarëve: atyre që vërtet i mbrojnë interesat kombëtare dhe atyre që thirren në atdhetari, por mbrapa shpinës i bëjnë pazare.
Vitet e fundit dëgjojmë dhe lexojmë gjithandej hapësirës publike idiotësira të tipit: “Shqiptarët e Kosovës s’kanë pse protestojnë në Tiranë”, “Shqiptarët e Kosovës s’kanë pse brengosen për Shqipërinë”, “Shqiptarët e Shqipërisë s’kanë punë në Kosovë”, apo “Ata të Maqedonisë e të Luginës le t’i kërkojnë të drejtat në Shkup e Preshevë”, e të tjera, e të tjera.
Kjo nuk është logjikë shqiptare. Kjo është logjikë dhe strategji e pastër serbo-sllave e mbjellë mes nesh. Qëllimi është i qartë: së pari të na përçajnë, dhe së dyti, në funksion të së parës: për ta shfrytëzuar këtë përçarje si mjet për t’i arritur interesat e tyre të vjetra ekspansioniste. Të paktën kështu na kanë mësuar rrjedhat historike.
Hajde supozojmë se Shqipëria ju paska gërrditë këtyre që janë në kërkim identiteti e s’duan ta shohin me sy. Këqyrni për seri ndonjëherë a t’i bëjnë kauzë Toplicën, Çamërinë, Iliridën dhe Malësinë, të katërtat të humbura përafërsisht në 65 vjet, 1878-1945. Shikojeni Prizrenin. Në fakt është brenda, por nuk e duan Prizrenin si Lidhje të Prizrenit, por si DokuFest.
Kështu e kuptoni kush janë realisht. Ku e kanë fillin e ku lorzën. Kujt i shërbejnë e ku e kanë qëllimin përfundimtar. Një problem tjetër global, nëse mund ta quaj kështu, është kapitalizmi. Çka u bë që antiarabët e qartur tash po i duan katarianët arabë? E thjeshtë.
Kapitalizmi nuk njeh as fe, as moral, as komb, as kulturë, as njerëzi, as mirësi, as privim njerëzor, as të kaluar kriminale, as durim, as kujdes njerëzor, as konsideratë. Kapitalizmi njeh tyxharë, qenie të shitshme. Planetarisht. Si edhe çdo pjesë tjetër të botës, edhe Atdheun tonë e sheh si terren të lëvrueshëm ose jo, dhe asnjëherë si tokë tonën.
Interesi i kombit është një dhe i pandashëm. Luftërat e shumta na kanë copëtuar territorialisht, por ne vazhdojmë të jemi të bashkuar në gjuhë e gjak. Prandaj, çdo shqiptar që e ndjen veten patriot e me prirje kombëtare, ka një të drejtë historike: të ngrisë zërin e të protestojë kudo, kurdo dhe për secilën pëllëmbë të tokës shqiptare.
