Deklarimet e nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, se votat e LDK-së mund të jenë vendimtare në zgjedhjen e presidentit, po interpretohen në kontekst më të gjerë të konfigurimit të mundshëm të shumicës parlamentare pas zgjedhjeve.
Në një situatë ku asnjë parti nuk e ka të sigurt shumicën për të zgjedhur presidentin pa mbështetje shtesë, çdo subjekt që ka numër të konsiderueshëm mandatesh fiton peshë të shtuar në negociata.
Në këtë kuptim, deklarata e Hazirit mund të lexohet si një sinjal politik se LDK po e mban të hapur opsionin e ndikimit në marrëveshjet institucionale, përfshirë edhe mundësinë e bashkëpunimit me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV).
Edhe pse nuk nënkupton drejtpërdrejt një marrëveshje të afërt, ajo lë të kuptohet se LDK nuk e përjashton rolin e saj si partner potencial në një koalicion të mundshëm, nëse rrethanat politike e kërkojnë dhe nëse arrihet një kompromis për postet kyçe shtetërore, përfshirë presidentin.
Në këtë kontekst, një marrëveshje e mundshme me partinë në pushtet mbetet e hapur, por e kushtëzuar nga kalkulimet politike dhe përvojat e mëparshme të bashkëqeverisjes.
Kelmendi: Është e natyrshme që LDK-ja të jetë e gatshme për bashkëqeverisje dhe mirëkuptim Si fiilim, për këtë temë në një prononcim për “Bota sot” foli publicisti dhe zyrtari i LDK-së, Jeton Kelmendi, i cili u shpreh se deklaratat e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, janë në përputhje me qëndrimet e partisë dhe tregojnë gatishmërinë e saj për bashkëpunim politik në funksion të stabilitetit institucional.
“Deklaratat e Hazirit janë konform deklaratave të një zyrtari të lartë të LDK-së dhe është e natyrshme që LDK-ja të jetë e gatshme për bashkëqeverisje dhe mirëkuptim”, tha Kelmendi. Jeton Kelmendi Ai theksoi se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat e nevojshme për zgjedhjen e Presidentit dhe se, për këtë arsye, duhet të sigurojë mbështetjen e një aleati politik.
“Vetëvendosja nuk i ka 80 vota për ta zgjedhur Presidentin dhe është e detyruar të ketë një aleat. Nëse e dëshiron LDK-në si partnere, pa dilemë duhet të hyjë në bisedime dhe posti i Presidentit duhet t’i takojë LDK-së. Përndryshe, duhet të gjejë një aleat tjetër ”, deklaroi ai.
Sipas Kelmendit, deklarata e Hazirit, e bërë në cilësinë e nënkryetarit të partisë, lë të hapur mundësinë që deputetët e LDK-së të jenë pjesë e një bashkëpunimi politik për të siguruar funksionimin e institucioneve.
“Deputetët e LDK-së mund të jenë pjesë e një bashkëpunimi për stabilitet, për t’ia dhënë Kosovës institucionet demokratike dhe për të ofruar zgjidhje për problemet e shumta që janë akumuluar”, tha ai. Kelmendi shtoi se LDK-ja historikisht ka vendosur interesin e shtetit mbi interesin partiak.
“LDK-ja ka qenë që nga fillimi në shërbim të vendit, madje ka humbur shumë herë politikisht për t’i shërbyer Kosovës. Fatin e Kosovës nuk duhet ta lëmë peng të krizave politike, por duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që siguron numrat për Presidentin, një qeveri stabile dhe funksionimin e të gjitha institucioneve ”, u shpreh ai për “Bota sot”.
Sipas tij, një marrëveshje e tillë është e domosdoshme edhe për të avancuar proceset integruese dhe për të mos humbur mundësitë që partnerët ndërkombëtarë kanë premtuar për Kosovën.
Halili vlerëson se deklarata e nënkryetarit të LDK-së nuk është konfirmim për koalicion me LVV-në, por një mesazh për gatishmëri në negociata Nijazi Halili Kurse, profesori Nijazi Halili në një bashkëbisedim me “Bota sot” ka deklaruar se qëndrimi i nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, duhet të interpretohet si një sinjal politik që synon të forcojë pozitën negociuese të partisë në procesin e formimit të institucioneve.
“Deklarata e Lutfi Hazirit duhet lexuar si një sinjal politik se LDK-ja synon të ruajë dhe të rrisë peshën e saj negociuese në fazën e formimit të institucioneve.
Duke theksuar se votat e LDK-së mund të jenë vendimtare për zgjedhjen e presidentit, ai po rikujton se kjo parti mund të ketë rol kyç në zhbllokimin e proceseve institucionale dhe se asnjë formulë politike nuk duhet ta anashkalojë atë” , tha Halili.
Sipas tij, mesazhi i Hazirit duhet parë edhe si një shenjë e gatishmërisë së LDK-së për të diskutuar çështje me interes shtetëror, pa nënkuptuar domosdoshmërisht hyrjen në një koalicion qeverisës. “Ky është gjithashtu një mesazh për spektrin politik se LDK-ja është e gatshme të diskutojë tema me interes shtetëror, pa nënkuptuar domosdoshmërisht hyrjen në një koalicion qeverisës.
Në politikën kosovare, marrëveshjet për presidentin shpesh kanë shërbyer si pikënisje për bashkëpunime më të gjera politike, por jo gjithmonë kanë rezultuar në koalicione qeveritar e”, u shpreh ai.
Duke folur për mundësinë e një marrëveshjeje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, Halili tha se ky mbetet një skenar i hapur, por jo i thjeshtë për t’u realizuar. “Matematikat parlamentare dhe nevoja për stabilitet institucional mund t’i shtyjnë palët drejt dialogut.
Megjithatë, dallimet politike, përvojat e mëhershme të bashkëqeverisjes dhe kalkulimet strategjike të të dyja partive e bëjnë një marrëveshje të tillë më komplekse sesa një bashkëpunim teknik për çështje të caktuara, si zgjedhja e president it”, deklaroi ai për “Bota sot”.
Në fund, Halili theksoi se deklarata e Hazirit nuk duhet parë si paralajmërim për një koalicion të afërt, por si përpjekje për ta pozicionuar LDK-në si faktor të rëndësishëm në zhvillimet e ardhshme politike.
“Prandaj, deklarata e Hazirit më shumë duket si një sinjal i gatishmërisë për negociata dhe si përpjekje për ta pozicionuar LDK-në si faktor vendimtar në proceset e ardhshme politike, sesa si konfirmim i një koalicioni të afërt me LVV-në” , përfundoi Nijazi Halili për “Bota sot”.
