Ndeshja e dytë e Anglisë në Grupin L të Kupës së Botës kundër Ganës do të drejtohet nga arbitri hondurian Said Martinez, i njohur për një përplasje të mëparshme me Cristiano Ronaldo gjatë një ndeshjeje në Arabinë Saudite. 34-vjeçari do të ketë si ndihmës bashkëkombësit Walter Lopez dhe Christian Ramirez, ndërsa Ning Ma nga Kina do të jetë arbitër i katërt.
Kjo do të jetë ndeshja e tij e dytë në Botërorin 2026, pasi më herët gjykoi barazimin surprizues 1-1 mes Katarit dhe Zvicrës. Martinez ka treguar më parë një histori interesante me Ronaldon, gjatë kohës kur arbitronte në Ligën Saudite. Sipas tij, ylli portugez ishte një nga futbollistët më të vështirë për t’u menaxhuar për shkak të karakterit të tij shumë konkurrues.
“Ai është një person jashtëzakonisht konkurrues dhe shpesh mendon se po i bëhet padrejtësi, prandaj ankohet shumë”, kishte deklaruar Martinez. Arbitri kujtoi një ndeshje të Al-Nassr, ku dy gola të Ronaldos u anuluan pas rishikimit me VAR. Portugezi ishte zemëruar dhe i kishte thënë arbitrit: “Gjithmonë është njësoj me ju. Mendoni se jeni yjet e ndeshjes.
Nuk ju sjellin këtu për të qenë yje, ne jemi yjet.” Megjithatë, situata u qetësua më vonë në tunelin e stadiumit. Martinez tregoi se Ronaldo iu afrua dhe pranoi se kishte reaguar gabimisht. “I thashë se është një lojtar i madh, por mënyra si u shpreh nuk ishte e drejtë. Ai u përgjigj: ‘Ke të drejtë, nuk ishte mënyra e duhur. Kërkoj falje’”, rrëfeu arbitri.
Martinez ishte gjithashtu në qendër të vëmendjes në këtë Botëror pas një penalltie të akorduar për Zvicrën kundër Katarit. Vendimi u konfirmua nga VAR, por tifozët nuk mundën të shihnin grafikën e pozicionit jashtë loje për shkak të një problemi teknik.
Më vonë, FIFA sqaroi se sistemi VAR kishte funksionuar normalisht dhe se kontrolli tregoi se nuk kishte pozicion jashtë loje në aksionin e diskutueshëm. Tani, arbitri hondurian do të jetë në qendër të vëmendjes edhe në përballjen mes Anglisë dhe Ganës, një ndeshje me rëndësi të madhe për ecurinë e të dyja skuadrave në Kupën e Botës.
