Fully, 20, – Fundjava e 21 dhe 22 qershorit në Fully të kantonit Valais ishte e mbushur me aktivitete, emocione dhe frymë bashkimi, por zemra e gjithë kësaj atmosfere ishte manifestimi tradicional i Shoqatës Humanitare “Medvegja”, e cila tash e 34 vjet me radhë organizon koncertin humanitar dhe turnirin tradicional në futboll të vogël.
Ky organizim, i cili tashmë është bërë simbol i komunitetit medvegjas në diasporë, dëshmon përkushtimin e palëkundur të veprimtarëve që prej dekadash sakrifikojnë kohën, energjinë, madje edhe shëndetin e tyre, vetëm e vetëm që emri i Medvegjës dhe i trevës shqiptare të mbetet i gjallë dhe të mos harrohet kurrë.
Rreth kalasë së Shoqatës Humanitare “Medvegja” janë mbledhur ndër vite dhjetëra veprimtarë të dëshmuar, të cilët me punë vullnetare kanë arritur të ndërtojnë një nga organizimet më të suksesshme shqiptare në Zvicër. Kjo traditë nuk është vetëm një ngjarje sportive apo kulturore, por një manifestim identiteti, solidariteti dhe kujtese kolektive.
Mbi një mijë pjesëmarrës në koncertin humanitar Sipas informacioneve të siguruara nga HelveticALforum, mbrëmja e së shtunës ishte një festë e vërtetë shqiptare. Mbi një mijë bashkatdhetarë, miq dhe mysafirë të shumtë nga të gjitha anët e Zvicrës, si dhe nga Gjermania e Franca, ishin mbledhur për të ndjekur koncertin humanitar që u zhvillua në ambient të hapur.
Atmosfera ishte e jashtëzakonshme. Muzika, takimet mes miqve dhe familjarëve, si dhe prezenca e mysafirëve të shumtë e kthyen Fullyn në një qendër të rëndësishme të komunitetit shqiptar për një fundjavë të tërë.
Ndër vite, në skenën e Shoqatës Humanitare “Medvegja” kanë performuar artistët më të njohur shqiptarë, duke e bërë këtë koncert një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore të diasporës shqiptare në Zvicër. Ajo që bie në sy është fakti se, pavarësisht numrit të madh të pjesëmarrësve, shoqata nuk ka pasur asnjëherë incidente gjatë organizimeve të saj.
Ky është rezultat i disiplinës, organizimit dhe respektit që gëzon kjo shoqatë në mesin e komunitetit. Po ashtu, është për t’u vlerësuar besimi që autoritetet zvicerane kanë ndaj Shoqatës Humanitare “Medvegja”.
Pikërisht ky besim ka bërë që komuna përkatëse të lejojë organizimin e koncertit në ambient të hapur deri në orët e vona të natës, një privilegj që fitohet vetëm nga organizatorë seriozë dhe të përgjegjshëm. Nga koncerti deri në turnir, pa pushim Për shumë nga organizatorët nuk kishte kohë për pushim.
Kryetari i shoqatës, Zenel Neziri, Sabit Abazi, Zejnullah Namani, Agim Sadiku dhe shumë anëtarë të tjerë të kryesisë qëndruan deri rreth orës të mëngjesit për të sistemuar hapësirën ku ishte zhvilluar koncerti. Me vetëm pak orë gjumë, ata iu drejtuan stadiumit ku të dielën zhvillohej turniri tradicional i futbollit të vogël.
Ishte një ditë e lodhshme, por vullneti dhe dashuria për shoqatën dhe komunitetin e bënë të mundur realizimin me sukses edhe të kësaj veprimtarie. Turniri i 34-të tradicional Që në orët e hershme të mëngjesit, ekipet pjesëmarrëse ishin mbledhur duke pritur hedhjen e shortit dhe fillimin e garave. Shoqata kishte menduar për çdo detaj.
Për pjesëmarrësit dhe mysafirët ishin siguruar ushqime, pije freskuese, ndërsa ishin përgatitur edhe kupat dhe medaljet për ekipet dhe individët më të dalluar. Një punë të madhe gjatë gjithë ditës zhvilluan anëtarët e Komisionit Sportiv: Adonis Jakupi Blerim Beha Ata, së bashku me kryesinë e shoqatës, u kujdesën që gjithçka të zhvillohej sipas planit.
Pavarësisht temperaturave të larta që arritën deri në 34 gradë Celsius, ndeshjet u zhvilluan në frymë sportive, me rivalitet korrekt dhe me emocione të natyrshme që i japin bukuri sportit. Mbështetje nga autoritetet lokale Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe kryetarja e komunës, znj.
Carolin Ancey, e cila vlerësoi lart punën e Shoqatës Humanitare “Medvegja” dhe kontributin e saj në jetën shoqërore dhe kulturore të rajonit. Prania e saj ishte një tjetër dëshmi e respektit dhe autoritetit që kjo shoqatë gëzon pranë institucioneve zvicerane. Fituesit e turnirit Pas shumë ndeshjeve interesante dhe emocioneve sportive, turniri arriti kulmin me finalen e madhe.
Çmimet individuale dhe ekipore u ndanë si më poshtë: Portieri më i dalluar Joao Costaniera Lojtari më i dalluar Joaquim Bitz Kupa Fair-Play Shoqata Humanitare “Medvegja” Vendi i tretë AU SALON Vendi i dytë EXPRES Vendi i parë dhe fitues i turnirit L’afrim Auto École Ekipi fitues festoi suksesin e merituar, ndërsa ceremonia e ndarjes së medaljeve dhe kupave u shoqërua me duartrokitje dhe emocione të veçanta.
Rinia e diasporës, garanci për vazhdimësinë Një nga mesazhet më të rëndësishme që përcolli ky manifestim ishte bashkëpunimi dhe uniteti i rinisë shqiptare në diasporë. Pjesëmarrja e madhe e të rinjve tregoi se fryma e bashkimit dhe e ruajtjes së identitetit kombëtar vazhdon të mbetet e fortë.
Edhe pse të lodhur pas dy ditëve intensive, organizatorët u ndanë të kënaqur me suksesin e arritur. E gjithë puna ishte vullnetare, e bërë me zemër dhe përkushtim për komunitetin.
Në fjalën e tij përmbyllëse, kryetari i shoqatës, Zenel Neziri, falënderoi kryesinë, Komisionin Sportiv, ekipet pjesëmarrëse, sponsorët dhe të gjithë bashkatdhetarët që kontribuan në realizimin e këtij manifestimi.
Ai premtoi se edicioni i ardhshëm do të jetë edhe më i pasur dhe me më shumë pjesëmarrës, duke theksuar se serioziteti dhe puna e vazhdueshme janë garancia e suksesit të ardhshëm. “Medvegja nuk do të harrohet kurrë. Do të vijë dita kur të gjithë do ta pranojnë të vërtetën historike të asaj treve”, u shpreh ndër të tjera Neziri.
Kështu, me ndarjen e kupave, medaljeve dhe me shumë fjalë mirënjohjeje për organizatorët, u mbyll me sukses edhe edicioni i 34-të i turnirit tradicional të Shoqatës Humanitare “Medvegja”, duke lënë pas kujtime të bukura dhe premtimin për t’u takuar sërish vitin e ardhshëm.Manifestimi i 34-të i Shoqatës Humanitare “Medvegja” dëshmoi edhe një herë se kur bashkohen vullneti, përkushtimi dhe dashuria për vendlindjen, mund të ndërtohen vepra që sfidojnë kohën.
Për më shumë se tri dekada, kjo shoqatë ka arritur të mbajë gjallë frymën e Medvegjës në diasporë, duke e kthyer këtë tubim në një urë lidhëse mes brezave dhe një simbol të identitetit kombëtar. Nëpërmjet kulturës, sportit dhe solidaritetit, bashkatdhetarët po dëshmojnë se rrënjët nuk harrohen kurrë.
Medvegja jeton në zemrat e bijve dhe bijave të saj kudo që ndodhen, ndërsa përkushtimi i tyre është garanci se historia, traditat dhe e vërteta e kësaj treve do të ruhen e do të përcillen brez pas brezi.
Kjo fundjavë në Fully nuk ishte vetëm një aktivitet i suksesshëm, por një mesazh i fuqishëm se shqiptarët e Medvegjës mbeten të bashkuar, krenarë me prejardhjen e tyre dhe të vendosur që emri i Medvegjës të mos shuhet kurrë nga kujtesa kombëtare.
