Prishtina kërkon përshpejtimin e procedurave kadastrale

0%

Komuna e Prishtinës ka kërkuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës masa urgjente për përshpejtimin e trajtimit të lëndëve pronësore, duke ngritur shqetësime për vonesat në sistem. Nga Agjencia thonë se renditja e lëndëve bazohet në parimin ligjor të prioritetit sipas datës së aplikimit dhe se zgjidhja mbetet rritja e efikasitetit në Drejtorinë e Kadastrës në Prishtinë.

Bashkëpunim më të ngushtë me Agjencinë Kadastrale të Kosovës ka kërkuar Komuna e Prishtinës, për shkak të fluksit të madh të lëndëve gjatë sezonit veror. Sipas Komunës, rritja e numrit të kërkesave lidhet edhe me ardhjen e mërgimtarëve, të cilët kërkojnë që procedurat e tyre pronësore të përfundojnë brenda një afati sa më të shkurtër.

“Në trendin që është duke shku, për shkak të radhitjes që është bërë prej agjencisë dhe një kohë që sistemi ka pasë problem, ne kemi kërku prej agjencionit që për momentin të largohet kjo radhitje, në mënyrë që të kemi mundësi t’u ndihmojmë të gjithë qytetarëve”, tha Gent Begolli, drejtor i Kadastrës në Komunën e Prishtinës Përmes një përgjigjeje me shkrim për RTK-në, ushtruesi i detyrës së drejtorit ekzekutiv të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, Faik Kelmendi, ka thënë se kjo çështje është trajtuar me prioritet.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në përgjigjen e agjencisë drejtuar Komunës thuhet se, sa i përket kërkesës që lëndët e kthyera nga noterët pas plotësimit të komenteve të trajtohen të parat, sistemi nuk ua ndryshon datën fillestare të regjistrimit. Sipas agjencisë, ky është një parim i rreptë ligjor që garanton sigurinë juridike të pronës, sipas të cilit kush aplikon i pari, ka përparësi.

Në përgjigje thuhet gjithashtu se çdo ndryshim manual i radhës së lëndëve do të krijonte hapësirë për abuzime dhe do të cenonte të drejtat e aplikuesve të tjerë.

Tutje, agjencia thekson se, për të dëshmuar se nuk ka bllokim në sistemin qendror të AKK-së, mjafton të shihet performanca e Sektorit të Gjeodezisë në Komunën e Prishtinës, ku sipas tëdhënave zyrtare nuk ka vonesa dhe në sistem figurojnë vetëm 16 lëndë të patrajtuara. Nga Komuna e Prishtinës thonë se kanë kërkuar nga agjencia zgjidhjen e dy problematikave në sistem.

“Problematika e parë është që kur vijnë lëndët nga noteri të sinjalizohen, ndërsa problematika e dytë, e cila është tepër e rëndësishme dhe duhet të zgjidhet sa më shpejt, është që të mos ndodhë që dhjetë zyrtarë ta trajtojnë të njëjtën lëndë”, theksoi Begolli.

Në përgjigjen e saj, Agjencia Kadastrale e Kosovës thekson se ndryshimi i përkohshëm apo manual i radhës së lëndëve nuk është zgjidhje, pasi vetëm sa e fsheh problemin dhe dëmton qytetarët e tjerë në pritje.

Sipas agjencisë, zgjidhja e vetme mbetet rritja e dinamikës së punës në Drejtorinë e Kadastrës të Komunës së Prishtinës, përmes mobilizimit të menjëhershëm të stafit dhe trajtimit më efikas të lëndëve, veçanërisht atyre me ndërmjetësim

Burimi: Telegrafi