Rezultatet zgjedhore të 7 qershorit kanë konfirmuar se fituese e zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje. Pas certifikimit të rezultateve, pritet të nisin procedurat për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e qeverisë së re të Kosovës, me Albin Kurti në krye të ekzekutivit.
Veprimtari shqiptar nga SHBA, Agim Aliçkaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se zgjedhjet e 7 qershorit, kanë konfirmuar për të tretën herë radhazi fituesin dhe legjitimitetin e qeverisjes së LVV-së dhe partnerëve të saj.
Aliçkaj potencuar se opozitaka dalë humbëse me më pak vota se koalicioni fitues, duke shtuar se çdo përpjekje për pushtet me ndihmën e Listës Serbe do të ishte, sipas tij, e dëmshme për interesat shtetërore. Veprimtari shqiptar nga SHBA, Agim Aliçkaj “Zgjedhjet e panevojshme të 7 qershorit, të shkaktuara nga opozita e Kosovës, u zhvilluan me sukses.
Rezultatet zgjedhore e konfirmuan për të tretën herë me radhë vullnetin e popullit të Kosovës që Kryeministri Albin Kurti dhe koalicioni i tij LVV, Guxo, Alternativa dhe PSHDK të udhëheqin Kosovën edhe për një mandat të plotë. Ata janë fituesit e vërtetë dhe nuk ka tjetër. Humbësit e vërtetë janë PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, të cilat së bashku kanë më pak vota se LVV-ja me koalicionin e saj.
U shuan edhe shpresat e disa politikanëve të lajthitur të opozitës për ta marrë pushtetin me ndihmën e organizatës armiqësore Lista Srpska. Populli u bëri favor, sepse një gjë e tillë do të ishte tradhti ndaj interesave shtetërore dhe kombëtare” , ka thënë ai.
Gjithashtu, Aliçkaj ka cilësuar se formimi i institucioneve mund të ecë pa pengesa, por paralajmëron një mundësi bllokade në zgjedhjen e Presidentit. “Bazuar në numrin e deputetëve, pritet që konstituimi i Parlamentit dhe i Qeverisë të realizohet pa problem nga fituesi i zgjedhjeve, së bashku me minoritetet, përveç Listës Serbe.
Megjithatë, çështja mund të ngecë përsëri te zgjedhja e Presidentit, për të cilin, bazuar në një vendim të gabuar të Gjykatës Kushtetuese, kërkohet që edhe në raundin e tretë të votimit të jenë të pranishëm në sallë 80 deputetë. Kjo krijon mundësinë e një bllokimi të pafund të shtetit nga humbësit e zgjedhjeve.
Kryeministri Kurti deklaroi pas zgjedhjeve se është i gatshëm për bashkëpunim me partitë opozitare, gjë që është një fillim i mirë. Duke qenë se, si fitues, ndodhet në një pozitë më të favorshme se të tjerët, do të ishte mirë që ai të ndërmarrë edhe hapa shtesë për afrimin me opozitën në interes të shtetit, sidomos për çështjen e zgjedhjes së Presidentit.
Edhe pse ai është viktima kryesore e sulmeve të ulëta politike, një kërkesë publike nga ana e tij, drejtuar të gjithëve për ndalimin e retorikës nënçmuese, shpifjeve, linçimeve dhe ofendimeve ndaj kundërshtarëve politikë, do t’ia shtonte edhe më shumë autoritetin në popull ”, ka theksuar ai.
Tutje, Aliçkaj ka deklaruar se mësimi kryesor për opozitën nga zgjedhjet është respektimi i vullnetit të qytetarëve, duke paralajmëruar se çdo “bllokadë e dëmshme” do të ndëshkohet nga vota popullore.
“Mësimi kryesor nga këto zgjedhje për opozitën ishte i qartë, nëse ajo ka veshë për të dëgjuar, sy për të parë dhe mendje për të kuptuar: mos luani me vullnetin e popullit, sepse populli ju ndëshkon. Nëse vazhdoni me bllokada të dëmshme dhe të pakuptimta, kurrë nuk do ta merrni pushtetin nga populli.
Mjerisht, deklaratat e disa përfaqësuesve të partive humbëse pas zgjedhjeve nuk janë shumë inkurajuese. Ato janë të përqendruara në fajësimin e të tjerëve për humbjen e merituar. Pretendimet se populli shumicë dhe mërgata shembullore e Kosovës janë të paedukuar dhe të mashtruar, duke u bërë kështu fajtorë për humbjen e tyre, janë të gabuara, të padrejta dhe të mjera.
Në realitet, ata po mashtrojnë vetveten. Ata duhet ta kuptojnë më në fund se vetëm populli i Kosovës mund të vendosë për fatin e tyre politik. Shpresat e tyre se për ta mundur Kurtin do t’i ndihmonin ish-ambasadori endacak amerikan, lobisti serb Grenell, kryeministri në largim i Shqipërisë, Edi Rama, dhe ish-presidentja e disorientuar Vjosa Osmani, dolën të kota ”, ka shtuar ai.
Aliçkaj i kundërpërgjigjet narrativave për qëndrimin ndërkombëtar të kryeministrit Kurti dhe çështjet strategjike, duke theksuar se ato janë të pabazuara. Po ashtu, ai ka folur edhe për zgjedhjen e Presidentit, duke theksuar se ajo duhet të jetë përgjegjësi e përbashkët e partive dhe jo mjet bllokimi institucional.
“Tentimet e tyre për ta portretizuar Kurtin si anti-amerikan janë po ashtu të kota dhe pa kurrfarë baze. Paraqitja e pranimit të investimit në “gazin amerikan” si kusht për zgjedhjen e Presidentit është një përpjekje e mjerë për ta arsyetuar vazhdimin e bllokadave. Investimet duhet të bazohen në interes ekonomik dhe jo në dashurinë për Amerikën.
Gjetja e një kandidati të përshtatshëm për President të Kosovës është detyrë e të gjitha partive politike dhe nuk guxon të përdoret më për bllokimin e funksionimit të shtetit nga askush. Kosovës i duhet një President unifikues, që nuk i takon asnjë partie, i aftë, i edukuar dhe përfaqësues dinjitoz në nivelet ndërkombëtare.
Propozimi i tre kandidatëve nga opozita dhe votimi i njërit prej tyre nga shumica parlamentare paraqet një kompromis real ”, ka vlerësuar ai. Në fund, Aliçkaj i bën thirrje opozitës që të ndryshojë qasje dhe të kalojë në rol konstruktiv: “Është koha e fundit që opozita të largohet nga bllokadat, të bëhet opozitë konstruktive dhe ta lejojë fituesin të udhëheqë me shtetin.
Pastaj të përgatitet për zgjedhjet e rregullta duke ofruar propozime konkrete për zhvillimin e shtetit, të deklarohet kundër korrupsionit të vet nga e kaluara, kundër asociacionit serb dhe kërkesave për ndarjen e Kosovës, kundër Listës Serbe si organizatë terroriste, të kërkojë dënimin e kriminelëve serbë dhe të pushojë me servilizmin ndaj të huajve.
Nëse duan ta fitojnë votën e popullit për pushtet, duhet ta bindin popullin e Kosovës se kanë ndryshuar dhe se janë bërë më të mirë se Kryeministri Kurti. Nuk ka rrugë tjetër. Nëse vazhdojnë me bllokada dhe bojkote, do të përfundojnë në murin e turpit të historisë së Kosovës.
Populli i mençur dhe i ndritur i Kosovës nuk frikësohet dhe nuk mund të mashtrohet” , ka përfunduar Aliçkaj për “Bota sot”.
