Komunat përreth Prishtinës të pakënaqura me shërbimet e K.R.M “Pastrimi”

0%

Nga: Rrezon Gashi Shpërndaje në: Pakënaqësitë me shërbimet e KRM “Pastrimi” po i shtyjnë komunat e rajonit të Prishtinës të shqyrtojnë mundësinë e shkëputjes nga kjo kompani.

Disa komuna mbledhjen e mbeturinave kanë nisur ta tenderojnë deri në krijimin e kushteve që shërbimin t’ua kalojnë ndërmarrjeve publike lokale Pas Obiliqit, edhe komunat e tjera të rajonit të Prishtinës po shqyrtojnë mundësinë e ndërprerjes së bashkëpunimit me Kompaninë Rajonale të Mbeturinave “Pastrimi”, pasi thonë se nuk janë të kënaqura me nivelin e shërbimeve.

Në Komunën e Fushë Kosovës tash e një javë është shpallur gjendje emergjente në sektorin e mbeturinave. Drejtori i Shërbimeve Publike në këtë komunë, Izja Mjeku, ka thënë se në disa fshatra mbeturinat nuk janë grumbulluar deri në pesë javë, ndërsa situata pritet të rëndohet edhe më tej me ardhjen e mërgimtarëve gjatë javëve në vijim.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas Mjekut, zgjidhja afatgjatë e problemit është shkëputja nga KRM “Pastrimi”. “Plani emergjent afatshkurtër është angazhimi i kompanive, siç thamë, të licencuara për mbledhjen e mbeturinave.

Ndërsa në planin afatgjatë, siç e dini, ne kemi bërë shpalljen e tenderit për blerjen e gjashtë kamionëve për mbledhjen e mbeturinave edhe në kuadër të Ndërmarrjes Publike Lokale që është themeluar me vendim të qeverisë do t’i mbledhim vetë mbeturinat Komuna e Fushë Kosovës, normal edhe në bashkëpunim me KRM Pastrimin”, ka thënë Mjeku.

Edhe në Komunën e Podujevës kanë thënë se çdo ditë pranojnë ankesa nga qytetarët për mosgrumbullimin e mbeturinave. Në një përgjigje për KOHËN, nga kjo komunë kanë thënë se janë duke e përgatitur një alternativë të re, për t’i dhënë zgjidhje problemit me mbeturina.

“Si Komunë i kemi pasur disa takime me menaxhmentin e Kompanisë ‘Pastrimi’ me ç’ rast kemi marrë zotim nga ta se së shpejti do të përmirësohet shërbimi. Por, natyrisht që ne jemi në diskutime dhe procedura të gjetjes së një alternative të re, e cila e ndihmon Kompaninë Rajonale të Mbeturinave në kryerjen e shërbimeve në disa pjesë të territorit të Komunës së Podujevës.

Pas përfundimit të afatit kohor i cili na është dhënë nga Kompania ‘Pastrimi’ për përmirësimin e këtij shërbimi (në rast të mospërmbushjes së këtij premtimi), ne do të vazhdojmë me alternativën e re, për të cilën jemi veç në fazën finale”, thuhet në përgjigjen nga Komuna e Podujevës.

E në Komunën e Lipjanit kanë thënë se kompania “Pastrimi” mbledhjen e mbeturinave po e kryen vetëm me 2 a 3 kamionë, ndonëse, siç është thënë, nevojiten gjashtë. “Komuna ka shqyrtuar edhe mundësinë e ndërprerjes së shërbimeve me këtë kompani, por kjo nuk është aprovuar.

Aktualisht, Komuna është duke shqyrtuar alternativa për tejkalimin e kësaj gjendjeje, ndërkohë janë iniciuar edhe procedurat për angazhimin e një operatori privat, me qëllim të sigurimit të një shërbimi më efikas për qytetarët, gjithashtu nuk përjashtojmë mundësinë e shpalljes së gjendjes emergjente nëse vazhdon situata e tillë dhe nuk ka përmirësim të shërbimeve”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Lipjanit.

Nga Komuna e Prishtinës nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS se a janë të kënaqur me shërbimet e K.R.M. “Pastrimi”. Për arsyet e mungesës së shërbimeve nuk kanë dhënë përgjigje as zyrtarët e kompanisë “Pastrimi”. Prej 1 qershorit, Komuna e Obiliqit ka shkëputur bashkëpunimin me “Pastrimin” dhe mbledhjen e mbeturinave e ka marrë përsipër Ndërmarrja Publike Lokale “Kastrioti”.

Burimi: Koha