Një aksion i hetuesve të antidrogës në Prizren është shndërruar në një ndjekje dramatike, pasi një 23-vjeçar, që po lëvizte me motoçikletë elektrike, nuk i është bindur urdhrit të Policisë për t’u ndalur. Ai ka marrë drejtimin e kundërt të qarkullimit, është rrëzuar me motoçikletë dhe më pas ka tentuar t’u shpëtojë policëve duke vrapuar.
Por arratia ka përfunduar pas vetëm disa metrash, ndërsa gjatë kontrollit i janë gjetur substanca të dyshuara narkotike. Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më , rreth orës , në lagjen Arbanë të Prizrenit, ku hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë kishin sinjalizuar për ndalim Eduart Çunajn rreth 23-vjeç.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, i dyshuari nuk i është bindur urdhrit dhe ka vazhduar lëvizjen me motoçikletë elektrike në rrugën “Ismail Kryeziu”, duke hyrë në drejtim të kundërt me qarkullimin e automjeteve. Në përpjekje për të kaluar në anën tjetër të rrugës, ai ka humbur kontrollin dhe është rrëzuar nga motoçikleta. Por as rrëzimi nuk e ka ndalur.
I riu është ngritur dhe ka vazhduar të ikë në këmbë, derisa hetuesit kanë arritur ta ndalojnë dhe ta arrestojnë pas disa metrash. Gjatë kontrollit të rrobave të tij, policët kanë gjetur substanca të dyshuara narkotike të llojeve kokainë dhe marihuanë. Meqenëse Çunaj është ankuar për lëndim në krahun e majtë nga rrëzimi, ai është transportuar me autoambulancë për trajtim mjekësor.
Pas trajtimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe pëlqimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, hetuesit kanë kontrolluar edhe shtëpinë e tij në rrugën “Afrim Bytyqi” në Prizren.
Nga kontrollet e kryera në vendin e ngjarjes dhe në banesë janë sekuestruar: 0.46 gramë substancë e dyshuar kokainë, në një qese plastike; 5.72 gramë marihuanë e dyshuar e llojit “Cali”, në pesë qese plastike; Tri qese me mbetje të substancave të dyshuara narkotike; 360 euro para të gatshme; Një telefon mobil; Një motoçikletë elektrike.
Sipas vlerësimit fillestar policor, substancat e sekuestruara kanë vlerë rreth 90 euro në tregun ilegal. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare. Pas përfundimit të procedurave, me vendim të Prokurorit të Shtetit, Eduart Çunaj është ndaluar për 48 orë.
Rasti është iniciuar për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga njësia e antidrogës në Prizren. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
