Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, ka deklaruar se ky institucion mbetet i përkushtuar ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se askush nuk mund t’u diktojë gjyqtarëve mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të ligjit.
Në një video-deklaratë, Trendafilova foli për pavarësinë e gjykatës, mbrojtjen e dëshmitarëve dhe viktimave, si dhe garantimin e të drejtave të të akuzuarve për një gjykim të drejtë. Deklarata e saj vjen pas ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara nga Kuvendi i Kosovës, si dhe reagimeve e protestave pas aktgjykimit dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Trendafilova tha se gjykata është përballur me dezinformata lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e saj. Ajo theksoi se gjyqtarët janë persona me integritet dhe paanshmëri, të cilët i ushtrojnë detyrat e tyre në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Dhomat e Specializuara garantojnë të drejtat për gjykim të drejtë të të akuzuarve, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”, deklaroi ajo. Kryetarja e këtij institucioni theksoi se vendimet gjyqësore mund të kundërshtohen përmes procedurave të ankesave, përfshirë panelet e Apelit, Panelin e Gjykatës Supreme dhe Dhomën e Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas saj, të akuzuarit i kanë shfrytëzuar këto mjete juridike dhe në disa raste kanë arritur sukses me ankesat e tyre. Ajo nënvizoi se kritikat ndaj vendimeve gjyqësore janë legjitime në një shoqëri demokratike, por ato nuk duhet të cenojnë pavarësinë e gjyqësorit.
“Sundimi i ligjit kërkon që askush të mos mund t’u diktojë gjykatësve se si ta interpretojnë dhe zbatojnë ligjin”, tha Trendafilova. Në fund, ajo theksoi se Dhomat e Specializuara do të vazhdojnë punën e tyre në mënyrë të pavarur nga presionet e jashtme, duke riafirmuar përkushtimin ndaj standardeve ndërkombëtare dhe sundimit të ligjit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
