Pacientët presin deri në 6 muaj për operime në Kirurgjinë Abdominale

0%

Nga: Arianita Hoti Shpërndaje në: Pavarësisht dhimbjeve të forta që përjeton çdo ditë dhe rekomandimeve të mjekëve që operacionin ta kryejë sa më shpejt, Ismet Musa duhet të presë deri në 6 muaj për t’iu nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK. Kjo për shkak të listës së gjatë të pritjes së pacientëve në këtë klinikë.

Musa thotë se nuk ka mundësi financiare për ta kryer operacionin në privat Për të hyrë në operim në Klinikën e Kirurgjisë Abdominale në QKUK, pacientët duhet të kalojnë muaj të tërë në listat e pritjes. Njëri prej tyre është Ismet Musa, i cili thotë se po përballet me dhimbje të forta e pavarësisht kësaj i është rekomanduar termin për ndërhyrje kirurgjikale.

Në raportin e tij mjekësor shkruan se ai ka “hernie inguinale”, e njohur si kilë në ijë, por me gjithë se është në gjendje të rëndë, ai për operimin duhet të presë gjashtë muaj. “Kam shku në Emergjencë me dhimbje dhe më kanë thënë se brenda gjysmë ore duhet të futem në operacion.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kanë dashur të më fusin në operacion dhe kur i kam pyetur a do të ma vendosin rrjetën, më kanë thënë se duhet të shkoj në Kirurgji Abdominale. Kam shkuar, i kam bërë konsultat me mjekë, pesë mjekë më kanë kontrolluar dhe më kanë thënë se duhet të hyj në operacion, më së shumti brenda 10 ditësh.

Kur shkova në Drejtori të Kirurgjisë Abdominale, më thanë se drejtori është në pushim dhe disa zëvendës të tij më thanë se duhet të pres 6 muaj”, ka thënë Musa. E për të pritur gjashtë muaj, ai thotë se e ka të pamundur, sepse dhimbjet e forta që i shfaqen në momente të caktuara janë të vështira për t’u përballuar.

Musa thotë se nuk ka as mundësi financiare që t’i drejtohet sektorit privat. “Nuk është ky rast që pret 6 muaj. Po të ishte rast që pret 6 muaj, do të ishte normale, por nuk është rast që mund të presë njeriu 6 muaj për një operacion, sepse kam shumë dhimbje. Sa më shpejt që të jetë e mundur duhet të operohem.

Me një pagë veterani unë nuk mund të hyj privat, sepse kushton 700, 800 e deri në 1000 euro. Unë 204 euro i marr pension, çka me ba me to? Jam zhgënjyer shumë me Kirurgjinë Abdominale”, ka thënë ai. Pas rekomandimit që të presë me muaj, ai thotë se ka mbetur pa zgjidhje.

KOHA ka biseduar edhe me pacientë të tjerë, të cilët kanë treguar se për t’iu nënshtruar operimit u është dashur të presin rreth pesë muaj. Ndërkaq, një pacient tjetër që gjatë javës së shkuar ka ardhur për të caktuar termin, ka thënë se është njoftuar nga personeli shëndetësor se termini mund t’i caktohet tek për në fillim të dhjetorit.

KOHA ka dërguar pyetje në Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për të mësuar arsyet e listave të pritjes në Kirurgjinë Abdominale, por që nga e marta nuk ka marrë përgjigje.

Burimi: Koha