Dhunë dhe trazira në Milano, mbi 200 të arrestuar pas përleshjeve mes

0%

Përleshjet mes të rinjve dhe policisë kanë vijuar për të dytën ditë radhazi në Milano të Italisë, ku grupe protestuesish, kryesisht të veshur me të zeza dhe me fytyra të mbuluara, hodhën shishe dhe objekte drejt forcave të rendit, plaçkitën dyqane dhe dëmtuan prona në zonën përreth sheshit qendror Duomo.

Sipas agjencisë së lajmeve Ansa, policia ka arrestuar më shumë se 200 persona që nga e shtuna, ndërsa situata në qytetin verior italian mbetet e tensionuar. Trazirat nisën të shtunën, në prag të një demonstrate të autorizuar kundër kostos së lartë të jetesës. Incidente të ngjashme u regjistruan edhe në qytetet veriore të Bolonjës dhe Torinos, pas protestave të tjera.

Gjatë së dielës, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë grupet e dhunshme në sheshin Duomo. Pamjet filmike treguan të rinj, shumë prej tyre me maska, duke hedhur objekte drejt automjeteve të policisë. Gjatë incidenteve, një supermarket në një nga rrugët tregtare që të çojnë drejt sheshit u plaçkit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjithashtu, koshat e mbeturinave u përmbysën, ndërsa skuterët dhe biçikletat u dëmtuan. Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, shprehu shqetësimin për situatën, duke deklaruar se kishte parë nga afër dyqane me xhama të thyer, ambiente të plaçkitura dhe qytetarë të frikësuar.

“Ajo që ndodhi këtu është ajo që po shohim në shumë qytete anembanë botës”, deklaroi Sala për agjencinë Ansa, duke paralajmëruar se bëhet fjalë për një fenomen të ri, i ndikuar edhe nga zhvillimet ndërkombëtare.

Ndërkohë, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, ka kërkuar mbajtjen e një takimi për sigurinë të hënën, me qëllim shqyrtimin e situatës dhe marrjen e masave për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës, shkruan euronews.al.

Ngjarjet në Milano kanë rikthyer shqetësimet për sigurinë publike në qytetet e mëdha evropiane, ndërsa autoritetet po përpiqen të vënë nën kontroll situatën pas dy ditësh trazirash dhe plaçkitjesh. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com