Në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë, në orën , mbahet seanca gjyqësore në rastin e sulmit ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit”, i cili ndodhi në nëntor të vitit 2024, në fshatin Varagë të Zubin-Potokut.
Sipas dosjes së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Jovan Viqentijeviq dyshohet se, së bashku me vëllain e tij, Dragisha Viqentijeviq, ka dëmtuar qëllimisht infrastrukturën e kanalit, duke përdorur eksploziv, me qëllim të kryerjes së veprës penale të terrorizmit. Në këtë rast është i akuzuar edhe Igor Dimoviq, i cili nuk ndodhet në paraburgim.
Ndërkaq, dy vëllezërit Viqentijeviq janë duke u mbajtur në paraburgim. Shpërthimi në kanalin e “Ibër-Lepencit” ndodhi në nëntor të vitit 2024, ndërsa dyshohet se u përdorën rreth 20 kilogramë eksplozivë. Si pasojë, u shkaktuan dëme në infrastrukturën jetike të furnizimit me ujë, duke ngritur shqetësime për sigurinë e infrastrukturës kritike në Kosovë.
Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar ngjarjen si sulm terrorist, ndërsa kanë ngritur akuza ndaj Serbisë për përgjegjësi lidhur me rastin. Në shkurt të vitit 2026, të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm para gjykatës. Në kuadër të procesit gjyqësor, pritet të shqyrtohen provat e paraqitura nga Prokuroria, si dhe pretendimet dhe qëndrimet e mbrojtjes.
Seanca në Pallatin e Drejtësisë në Prishtinë pritet të jetë pjesë e procesit gjyqësor për zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit ndaj kanalit të “Ibër-Lepencit”.
