Interi po shqyrton mundësinë e transferimit të portierit argjentinas Santiago Beltran, i cili po kalon një periudhë shumë të mirë te River Plate. Sipas gazetës italiane “Gazzetta dello Sport”, drejtuesit zikaltër e shohin 22-vjeçarin si një kandidat potencial për ta përforcuar portën, pasi Josep Martinez nuk ka arritur t’i bindë plotësisht me paraqitjet e tij.
Beltran ka fituar vendin e titullarit te River Plate dhe është konsideruar si një prej portierëve me perspektivë për të ardhmen e kombëtares argjentinase, duke u parë edhe si pasues i mundshëm i Dibu Martinezit. Një prej faktorëve që mund ta lehtësojë transferimin e tij është kontrata që skadon në dhjetor të vitit 2027.
Kjo mund ta bëjë atë një objektiv konkret për afatin kalimtar të janarit ose për merkaton e verës së ardhshme. Megjithatë, Interi nuk është klubi i vetëm i interesuar për shërbimet e portierit. Edhe Atletico Madridi po e përcjell nga afër Beltranin, të cilin e sheh si një pasues të mundshëm të Jan Oblakut.
Kështu, Interi mund të përballet me konkurrencë të fortë për ta siguruar shërbimin e portierit argjentinas.
