Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se do të ndajë nga 100 euro për 20 fëmijë të Shoqatës “Down Sindromë Mitrovica”, me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për terapinë e logopedisë.
Sipas njoftimit të komunës, mbështetja financiare do të realizohet përmes Drejtorisë së Mirëqenies Sociale dhe synon të lehtësojë barrën financiare të familjeve, si dhe të ndihmojë në vazhdimësinë e terapisë për fëmijët.
Drejtori i Mirëqenies Sociale, Ramadan Beshiri, ka bërë të ditur se kjo mbështetje synon të kontribuojë në zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve, duke ofruar përkrahje për ta dhe familjet e tyre.
Komuna e Mitrovicës ka theksuar se mbështetja e fëmijëve dhe familjeve mbetet pjesë e angazhimit institucional për ndërtimin e një shoqërie më gjithëpërfshirëse, me mundësi të barabarta dhe përkujdesje për të gjithë.
