Gjykata penale në Madrid ka caktuar 21 dhjetorin si datën e nisjes së gjyqit ndaj mbrojtësit të Real Madridit, Ferland Mendy, i akuzuar për neglizhencë pas një sulmi të rëndë nga qentë e tij, ku mbeti i lënduar një 17-vjeçar.
Prokuroria kërkon që futbollisti francez të dënohet me gjobë prej 1 mijë e 200 eurosh, si dhe të paguajë 5 mijë e 700 euro dëmshpërblim për personat e dëmtuar nga ngjarja. Sipas një vendimi procedural të datës 1 tetor, të raportuar nga gazeta spanjolle Sport, seanca gjyqësore do të mbahet në gjykatën e Madridit, në rrugën Julian Camarillo.
Për të dëshmuar në këtë proces janë thirrur Mendy, dëshmitarët, ekspertët dhe viktimat. Futbollisti do të japë dëshminë e tij me ndihmën e një përkthyesi të gjuhës frënge. Ngjarja për të cilën akuzohet mbrojtësi i Real Madridit ka ndodhur më , kur katër qen të tij dolën nga prona në Alcobendas, pasi porta nuk ishte mbyllur siç duhej.
Njëri prej qenve iu afrua një gruaje që po shëtiste qenin e saj dhe e sulmoi atë rëndë. Për shkak të plagëve të marra, veterinerët u detyruan ta eutanizonin qenin e gruas. Situata u përkeqësua kur një 17-vjeçar, i cili po shëtiste qenin e tij dhe e kishte parë sulmin, ndërhyri për ta ndihmuar gruan. Megjithatë, ai u bë viktima e radhës e sulmit.
Qeni e kafshoi të riun me forcë në këmbën e majtë, duke i shkaktuar katër plagë, disa prej të cilave me diametër deri në dy centimetra. Për shkak të lëndimeve, 17-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, ndërsa rikuperimi i tij zgjati 30 ditë. Edhe qeni i të riut pësoi lëndime gjatë sulmit.
Ai u kafshua në qafë dhe në gjoks, si dhe humbi një dhëmb, çka bëri të nevojshme një ndërhyrje urgjente kirurgjikale. Prokuroria pretendon se Mendy nuk tregoi kujdesin e duhur dhe nuk mori masat e nevojshme për të garantuar që porta e pronës të ishte mbyllur siç duhet, pasi një automjet kishte hyrë brenda saj.
Për këtë arsye, futbollisti akuzohet për neglizhencë, ndërsa përgjegjësia e tij do të shqyrtohet në procesin gjyqësor. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
