Tre fëmijë, të moshës 5, 8 dhe 11 vjeç, si dhe një mësues kanë humbur jetën nga të shtënat me armë zjarri në shkollën fillore “Silver Rail”, në qytetin Bend të Oregonit, në SHBA. Autori i sulmit, një 16-vjeçar, u vra nga një qytetar që e ndoqi brenda ndërtesës përpara mbërritjes së policisë.
Nga sulmi mbetën të plagosur rëndë edhe një fëmijë 7-vjeçar dhe një mësues 54-vjeçar, të cilët u dërguan në spital në gjendje kritike. Ngjarja e rëndë ndodhi të enjten, më 15 tetor, rreth orës sipas orës lokale. Sipas policisë, 16-vjeçari, banor i qytetit Bend, përdori një armë zjarri me tytë të gjatë për të thyer dyert e mbyllura të shkollës dhe më pas hapi zjarr brenda ambienteve të saj.
Alarmi i parë për shërbimet e emergjencës lidhej me një person që kishte qëlluar një automjet pranë shkollës. Pak më vonë, mbërritën telefonata të tjera që raportonin për një person të armatosur brenda kompleksit shkollor. Në këto momente, një qytetar që pa sulmuesin duke hyrë në shkollë vendosi ta ndiqte dhe e qëlloi për vdekje përpara se të mbërrinin efektivët e policisë.
Autoritetet e kanë përshkruar atë si një anëtar të komunitetit lokal, por nuk kanë konfirmuar nëse bëhej fjalë për prindin e një nxënësi. Identiteti i tij nuk është bërë publik. Guvernatorja e Oregonit, Tina Kotek, e vlerësoi ndërhyrjen e qytetarit, duke theksuar se veprimi i tij ndihmoi në parandalimin e humbjes së më shumë jetëve.
“Ndërhyri për të parandaluar humbjen e më shumë jetëve”, u shpreh ajo, ndërsa shprehu dhimbjen për viktimat dhe familjet e tyre. Policia nuk ka bërë ende të ditur identitetin e 16-vjeçarit dhe as nëse ai kishte ndonjë lidhje me shkollën. Motivet e sulmit mbeten të paqarta, ndërsa autoritetet po hetojnë rrethanat dhe mënyrën se si i mituri arriti të hynte në ndërtesë.
Në hetime është përfshirë edhe FBI-ja, e cila ka vënë në dispozicion agjentë dhe burime për të ndihmuar autoritetet lokale. Pas sulmit, shkolla u vendos në bllokim dhe nxënësit e punonjësit u evakuuan. Familjet u drejtuan në një pikë të posaçme grumbullimi pranë shkollës, ku mundën të ribashkoheshin me fëmijët e tyre.
Distrikti shkollor Bend-La Pine njoftoi se të gjitha shkollat do të qëndrojnë të mbyllura të premten, më 16 tetor, ndërsa aktivitetet shkollore dhe eventet sportive janë anuluar, shkruan tch. Tragjedia ka tronditur komunitetin lokal dhe ka rikthyer në vëmendje debatin mbi dhunën me armë zjarri në shkollat amerikane.
Autoritetet kanë paralajmëruar vijimin e hetimeve dhe ofrimin e mbështetjes psikologjike për nxënësit, familjet dhe stafin shkollor. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
