Pacientët që planifikojnë të vendosin kurora, ura apo punime estetike dentare shpesh përballen me një dilemë: E-max apo zirkon? Këto terma janë bërë të njohur për shumë qytetarë, por zgjedhja e materialit nuk duhet të bëhet vetëm nga dëshira e pacientit apo nga përvoja e dikujt tjetër.
Për këtë temë ka folur Rajmonda Halili, specialiste e protetikës stomatologjike, në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i mbështetur nga dhe , ku u diskutua për shëndetin dhe estetikën e buzëqeshjes, urat dentare, kurorat dhe vinerët.
Halili tha se pacienti mund të ketë një ide se çfarë materiali dëshiron, por vendimi final duhet të merret në bashkëpunim me stomatologun dhe në bazë të rastit klinik. “Pacienti mund të ketë një ide, mirëpo mandej në bashkëpunim, varësisht prej rastit klinik, vendoset se cila është e duhura”, tha ajo.
Sipas saj, shpesh pacientët bëjnë krahasime me të afërm apo familjarë, duke pyetur pse një person ka punim me E-MAX, ndërsa tjetri me zirkon. “Shpesh pacientët po pyesin: pse një familjare ime ia ka E-MAX, ndërsa unë kam zirkon”, u shpreh Halili.
Ajo shpjegoi se, në parim të përgjithshëm, punimet me E-MAX përdoren më shpesh në pjesën frontale, pra në dhëmbët e përparmë, aty ku estetika është më e dukshme. “Në parim të përgjithshëm, punimet me E-MAX vendosen në ato raste kur vetëm në pjesën frontale”, tha Halili.
Nga ana tjetër, zirkoni përdoret më shumë në pjesën e pasme të dhëmbëve, sepse është material më rezistent ndaj forcave të kafshimit dhe përtypjes. “Zirkoni si material vendoset më shumë në pjesën posteriore, sepse ka qëndrueshmëri më të mirë mbrapa”, shpjegoi ajo.
Halili theksoi se kur bëhet korrigjimi i buzëqeshjes, zakonisht punohet me dhëmbët që shihen gjatë buzëqeshjes, nga njëri paramolar deri te paramolari i anës tjetër, varësisht sa ekspozohet buzëqeshja e pacientit. “Kur ne e korrektojmë buzëqeshjen, atëherë ne punojmë me dhëmbët prej paramolarit të njërës anë deri te paramolari i anës tjetër, pra pjesa sa duket buzëqeshja”, tha ajo.
Ndërsa molarët, që janë dhëmbët e pasmë dhe përdoren kryesisht për kafshim dhe bluarje të ushqimit, zakonisht nuk preken nëse nuk ka nevojë. Në rastet kur duhet të punohet në atë zonë, Halili tha se zirkoni është më i përshtatshëm për shkak të rezistencës së tij. “Pjesën e molarëve, të cilët janë dhëmbë që përdoren për kafshim, për bluarje të ushqimit, zakonisht nuk i prekim fare.
Nëse duhet të punohen, atëherë vendosim një material siç është zirkoni, sepse ka forcë dhe rezistencë ndaj forcave të ushqimit”, tha Halili. Sipas saj, pacienti zakonisht vjen në ordinancë me një kërkesë estetike, por për mjekun funksioni i dhëmbëve është bazë e trajtimit.
“Gjithmonë pacienti, kur vjen në ordinancë, e ka kërkesën estetike, por për mjekun ana funksionale është bazike”, theksoi Halili. Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
