Vendet e Ballkanit Perëndimor kanë shënuar disa përparime në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore, por aty ende u mungojnë mekanizmat efikase për ta luftuar këtë problem dhe nuk i përmbushin kriteret ndërkombëtare për çrrënjosjen e kësaj veprimtarie kriminale, thuhet në raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2026.
Për Kosovën, raporti vë në pah se gjykatat shqiptojnë dënime nën minimumin e paraparë me ligj, ndërsa për Shqipërinë thekson se policia dhe prokuroria nuk kanë përvojë dhe kapacitete të mjaftueshme dhe të specializuara për hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të trafikimit me qenie njerëzore, sipas Radio Evropa e Lirë .
Serbia dhe Mali i Zi nuk i përmbushin plotësisht standardet minimale për luftimin e kësaj dukurie, ndërsa Bosnjë e Hercegovina vazhdon të ketë mungesë mekanizmash efikase për ta trajtuar atë, sipas raportit.
Kosova s’i heton si trafikim me njerëz të gjitha rastet e fëmijëve të detyruar për të lypur Drejtësia në Kosovë po shqipton më shumë dënime me burgim për trafikantët e njerëzve sesa në të kaluarën, por ato vazhdojnë të jenë kryesisht nën minimumin e paraparë me ligj, thuhet në vlerësimin e ri të Departamentit amerikan të Shtetit.
Autoritetet kanë rritur buxhetin për parandalimin e trafikimit me qenie njerëzore dhe për ndihmën ndaj viktimave, ndërsa një analizë zyrtare tregon se është përmbushur edhe një pjesë e madhe e synimeve të planit kombëtar të veprimit. Megjithatë, Departamenti amerikan i Shtetit paralajmëron për mangësi serioze në mbrojtjen e personave më të cenueshëm.
Numri i personave të akuzuar për trafikim me njerëz ka rënë. Edhe pse Kodi Penal i Kosovës parasheh dënime të rënda, nga pesë deri në 12 vjet burgim për trafikimin e personave të rritur dhe deri në 15 vjet për trafikimin e fëmijëve, praktika gjyqësore paraqet një pamje tjetër.
Sipas statistikave zyrtare, autoritetet kanë ndjekur penalisht 34 persona të dyshuar, më pak se 49 sa ishin një vit më parë. Policia ka punuar në katër raste të reja dhe ka vazhduar hetimet për rastet e mëparshme, ndërsa gjykatat kanë dënuar tre persona për trafikim me njerëz për qëllime të shfrytëzimit seksual.
Dy prej tyre janë dënuar me burgim: njëri me tre vjet dhe tjetri me pesë vjet e gjysmë burgim, si dhe me gjobë. Një trafikant tjetër është dënuar me një vit burgim me kusht. Raporti paralajmëron se dënimet nën minimumin e paraparë me ligj e dobësojnë përgjegjësinë penale të autorëve dhe rrezikojnë sigurinë e viktimave.
Ndërkohë, 17 persona janë ndjekur penalisht për shfrytëzimin e shërbimeve seksuale të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore, por në këto raste nuk është shqiptuar asnjë dënim. Sipas raportit, mangësitë vërehen edhe në punën e policisë në terren, e cila vepron përmes tetë njësive rajonale me gjithsej 45 zyrtarë.
Raporti thekson se rastet e fëmijëve të detyruar nga prindërit për të lypur rrugëve, Policia vazhdon t’i trajtojë si neglizhencë ose keqtrajtim, e jo si trafikim, me arsyetimin se këto raste nuk i përmbushin kriteret e përcaktuara me ligj për këtë vepër penale.
Vëzhguesit theksojnë se shumica e prokurorëve dhe gjyqtarëve nuk kanë trajnim dhe përvojë të mjaftueshme, veçanërisht për rastet që përfshijnë kontroll emocional ose detyrim psikologjik. Si pasojë, shqiptohen dënime të lehta ose rastet cilësohen si vepra penale më të lehta.
Raporti nënvizon gjithashtu se autoritetet nuk i kanë hetuar si trafikim të gjitha rastet e fëmijëve të detyruar për të lypur rrugëve.
Për shkak të procedurave të papërshtatshme për identifikimin e viktimave në rastet e lypjes së detyruar, autoritetet nuk kanë arritur t’i mbrojnë në mënyrë efikase viktimat e mundshme nga ndëshkimi për veprime të paligjshme që i kanë kryer si pasojë e drejtpërdrejtë e trafikimit me qenie njerëzore.
Ndërkohë, Qeveria nuk ka siguruar përpjekje të mjaftueshme për riintegrimin e viktimave dhe ofrimin e ndihmës tjetër afatgjatë, veçanërisht për fëmijët dhe personat që kanë nevojë për mbështetje psikosociale. Sa i përket mbrojtjes së viktimave, autoritetet në Kosovë kanë identifikuar 13 viktima të trafikimit me njerëz gjatë vitit të kaluar.
Të gjitha personat e identifikuar ishin shtetas të Kosovës të ekspozuar ndaj shfrytëzimit seksual: dy gra dhe 11 vajza. Vëzhguesit paralajmërojnë edhe për mungesën e përpjekjeve për identifikimin e viktimave të lypjes së detyruar, veçanërisht të fëmijëve. Megjithatë, organizatat joqeveritare vlerësojnë se mekanizmi për referimin e viktimave drejt shërbimeve të ndihmës funksionon mirë.
Qeveria ofron strehim, trajtim mjekësor, këshillim dhe ndihmë juridike në bashkëpunim me shoqërinë civile. Gjatë vitit 2025, ndihmë morën 18 persona. Në raport thuhet se shteti siguron mbrojtje juridike për viktimat e huaja dhe mbështetje për viktimat që dëshmojnë në gjykatë.
Kjo përfshin dhoma të posaçme për intervistimin e fëmijëve dhe pajisje që mundësojnë dëshminë në distancë, duke mbrojtur identitetin e tyre. Megjithatë, për shkak të kontrolleve të papërshtatshme për identifikimin e viktimave, Qeveria nuk ka arritur t’i parandalojë në mënyrë efikase ndëshkimet ndaj viktimave për vepra penale që i kanë kryer nën detyrim.
Sa i përket parandalimit, autoritetet e Kosovës kanë shtuar angazhimin përmes një organi të posaçëm kombëtar, i cili koordinon përpjekjet e institucioneve të ndryshme. Mbështetja financiare për këtë qëllim është rritur në 15.000 euro, nga 3.550 euro sa ishte një vit më parë. Fondet janë ndarë për fushata ndërgjegjësuese dhe funksionimin e linjës telefonike SOS.
Shteti po përpiqet gjithashtu ta zvogëlojë kërkesën për shërbime seksuale me pagesë, duke ndjekur penalisht dhe ndëshkuar personat që shfrytëzojnë shërbimet seksuale të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore. Megjithëse ndërmjetësit e punësimit i nënshtrohen rregullimit efektiv dhe inspektorët e punës kryejnë rregullisht kontrolle në terren, në sistem vazhdon të ketë mangësi.
Inspektorët e punës nuk janë trajnuar për identifikimin e rasteve të trafikimit me njerëz dhe, gjatë gjithë vitit, nuk i kanë raportuar policisë asnjë rast të dyshimtë të evidentuar në terren. Të dhënat për trafikimin me njerëz tregojnë se Kosova është vend ku viktimat shfrytëzohen seksualisht, por edhe për punë të detyruar.
Trafikantët i joshin gratë dhe vajzat me premtime të rreme për martesë ose punësim si valltare dhe këngëtare, por më pas i detyrojnë të ofrojnë shërbime seksuale në shtëpi private, banesa, klube nate dhe sallone masazhi. Lypja e detyruar prek kryesisht fëmijët nga Kosova, Shqipëria dhe vendet e tjera fqinje.
Shumica e viktimave të shfrytëzimit seksual janë vajza nga Kosova, por janë evidentuar edhe viktima nga vendet e rajonit dhe Evropa Lindore, si dhe nga Kolumbia, Meksika, Tajlanda dhe Venezuela. Ndërkohë, shtetasit e Kosovës janë të ekspozuar ndaj trafikimit për shfrytëzim seksual dhe punës së detyruar në vende të ndryshme të Evropës
