Mbetën jashtë Kuvendit, Kurti i sistemoi si zv/ministra në Qeveri

0%

Një numër i konsiderueshëm i kandidatëve për deputetë që nuk arritën të fitojnë ulëse në Kuvendin e Kosovës, tashmë janë sistemuar në pozita të zëvendësministrave në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti.

Pjesa dërrmuese e tyre vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), por në mesin e të emëruarve ka edhe përfaqësues të partive të komuniteteve joshumicë që janë pjesë e koalicionit qeverisës, raporton Telegrafi. Më 15 shtator, kryeministri Kurti emëroi 27 zëvendësministra në ministri të ndryshme të Qeverisë së Kosovës.

Në mesin e tyre, nëntë ishin kandidatë të LVV-së në zgjedhjet parlamentare, por që nuk arritën të siguronin mandat deputeti.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ata janë: Hysni Mehani – zëvendësministër në Ministrinë e Financave; Agon Batusha – zëvendësministër i parë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal; Triera Kasumi-Berisha – zëvendësministre në Ministrinë e Ekonomisë; Jeton Mehmeti – zëvendësministër në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit; Ali Dula – zëvendësministër i parë në Ministrinë për Zhvillim Rajonal; Enver Dugolli – zëvendësministër i parë në Ministrinë e Punëve të Brendshme; Zef Morina – zëvendësministër i parë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit; Nora Arapi-Krasniqi – zëvendësministre e parë në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit; Arsim Berisha – zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndërkaq, më 14 tetor, Kurti emëroi edhe Viktor Buzhalën , ish-kandidat për deputet, në pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Lëvizja Vetëvendosje ka 53 deputetë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa Qeveria mbështetet edhe nga nëntë deputetë të komuniteteve joshumicë, tetë prej të cilëve u përkasin komuniteteve joserbe dhe njëri është Nenad Rashiq, përfaqësues i komunitetit serb.

Lëvizjet nga legjislativi në ekzekutiv Kalimi i figurave partiake nga njëra pozitë institucionale në tjetrën nuk është i pazakontë në skenën politike të Kosovës. Në të kaluarën, kandidatë që nuk kanë arritur të fitojnë garën për kryetarë komunash, më pas kanë kandiduar për deputetë, ndërsa raste të tjera kanë përfshirë kalimin nga pushteti legjislativ në atë ekzekutiv.

Një tjetër emër nga lista e LVV-së për deputetë që nuk arriti të sigurojë mandat e që u akomodua në qeveri është Ragmi Mustafi, nga Lugina e Preshevës. Ai tashmë ushtron detyrën e këshilltarit të kryeministrit Albin Kurti./ Telegrafi

Burimi: Telegrafi