Të paktën 10 incidente ndaj gazetarëve dhe ekipeve mediatike janë dokumentuar gjatë protestave të studentëve në Tiranë më 13 dhe 14 tetor, ka njoftuar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH), duke kërkuar hetim të menjëhershëm dhe identifikimin e përgjegjësve.
Sipas AGSH-së, incidentet kanë prekur 12 gazetarë, operatorë dhe ekipe mediatike, ndërsa të paktën tre punonjës të medias kanë raportuar dëmtime fizike. Nëntë raste lidhen me veprime të raportuara të Policisë së Shtetit dhe një me sulmin e protestuesve të maskuar ndaj ekipit të Report TV.
Vetëm gjatë 14 tetorit, asociacioni ka regjistruar pesë incidente, mes tyre pengimin e gazetarëve për të filmuar, marrjen e një telefoni nga një efektiv policor, lëndimin e një operatori dhe dëmtimin e një kamere.
Gazetarja e Euronews Albania, Alice Taylor, ka deklaruar për AGSH-në se një polic ia ka rrëmbyer telefonin teksa po fotografonte protestën dhe ka refuzuar disa herë t’ia kthente, ndonëse ajo ishte identifikuar si gazetare. Pajisja i është kthyer pas ndërhyrjes së një efektivi tjetër dhe protestuesve.
Pengim nga policia gjatë raportimit kanë hasur, sipas asociacionit, edhe gazetarja e Euronews Albania, Enkelejda Mema, dhe gazetari i Ora News, Bekim Bici. Ndërkaq, operatori i News24, Elvin Kamberi, ka mbetur i lënduar gjatë dokumentimit të përplasjeve.
Sipas informacioneve të mbledhura nga AGSH, incidenti ka ndodhur pasi policia ka hedhur një granatë zhurmuese drejt zonës ku ndodheshin operatorë dhe fotografë. Në të njëjtën ditë, protestues të maskuar kanë sulmuar kamerën e ekipit të Report TV, njofton asociacioni.
Një ditë më herët, gazetari i A2 CNN, Anesti Bajramemaj, dhe operatori Heri Simota kishin raportuar dhunë nga efektivë policorë.
Gazetarja Fatime Halmusaj kishte pësuar dëmtime në këmbë nga një mjet tymues i hedhur nga policia, ndërsa kryeredaktori i Dosja.al, Izmir Akulli, sipas denoncimit publik të drejtuesit të medias, ishte dhunuar pranë Bankës së Shqipërisë dhe ishte dërguar për trajtim në QSUT.
Gazetari i Top News, Xhoi Malësia, kishte denoncuar gjithashtu se një efektiv i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë i kishte drejtuar një granatahedhës për bombula lotsjellëse. AGSH ka vlerësuar se numri dhe përsëritja e incidenteve nuk mund të trajtohen si raste të izoluara.
Asociacioni u ka kërkuar Policisë së Shtetit, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Prokurorisë të verifikojnë denoncimet, të përcaktojnë përgjegjësitë dhe të bëjnë publike rezultatet e hetimeve.
Thirrje për masa parandaluese i është drejtuar edhe Ministrisë së Brendshme, ndërsa organizatorëve dhe pjesëmarrësve në protesta u është kërkuar të respektojnë sigurinë e gazetarëve dhe pajisjet e tyre. Sipas AGSH-së, bilanci përfshin vetëm rastet e identifikuara deri në publikimin e deklaratës dhe mund të përditësohet. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
