Kuvendi do të zhvillojë sot në orën seancën plenare publike, ku në rendin e ditës janë parashikuar tri interpelanca me ministra, shqyrtimi i disa projektligjeve dhe ngritja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Ndërkohë pritet që jashtë Kuvendit të mblidhen studentë dhe qytetarë që do të vijojnë protestat që kanë pushtuar prej dy ditësh Tiranën, protestë që vijon në vazhdën e Revolucionit Flamingo që u mbajt prej mbi 130 ditë në kryeqytet.
Interpelanca e parë e seancës së sotme është interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, të kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Në vijim, janë parashikuar dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, të kërkuara nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi, si dhe një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj, të kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
Në rendin e ditës përfshihet projektligji për ratifikimin e Konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, të miratuar në Luksemburg më , si dhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kryerjen e kontrolleve të përbashkëta.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për shërbimet e pagesave”, projektligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, si dhe ndryshimet në ligjin “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.
Një tjetër çështje në rendin e ditës është projektligji “Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale”. Gjatë seancës pritet të shqyrtohet edhe projektvendimi “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë”.
Seanca do të përmbyllet me diskutimet e deputetëve për çështje jashtë rendit të ditës.
